Ishte një ditë ndryshe kjo e sotmja për maturantë të shkollës së mesme profesionale “Thoma Papapano”. Përmes një takimi të zhvilluar me specialistë të Zyrës së Punës në Gjirokastër ata morën informacion mbi atë që ofrojnë këto zyra për t’i mbështetur në ardhmen e tyre në një punë të sigurt.
“Nga komunikimi që pata me ta vura re se praktikat profesionale janë një program interesant për ta. Vetëpunësimi gjithashtu është i rëndësishëm, për të qënë të pavarur e për të patur një punë të tyre individuale si dhe formimi përmes kurseve të formimit professional me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare, që janë kurset e kodimit. Mendoj që këto janë avantazhe dhe në fokusin e tyre më shumë sesa pjesa e programeve të tjera, por që ne nuk i lamë pa informim si dhe për formimin përmes punës, ku ata i kanë të paguara sigurimet shoqërore dhe 4 pagat e para si dhe programi i punësimit që ne ofrojmë pranë zyrave të punës.”, thotë drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Punës dhe Aftësive Marseda Xarba.
Ky takim sipas drejtoreshës së shkollës Renata Puleri u organizua në kuadër të edukimit për karrierë.
“I kemi sjellë sot nxënësit e vitit të katërt pranë zyrës së punës pët t’u njohur me teknikat e sukseshme të një interviste të mirë pune dhe për t’u njohur me kurset e kualifikimit që ofrohen pranë zyrave të punës në kuadër të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Nxënësit e vitit të katërt u njohën edhe me menyrën sese duhet të regjistrohen si punëkërkues, apo mundësitë që u krijohen nëpërmjet kualifikimeve që ofron zyra e punës për të hapur nesër një biznes të vetin dhe mënyra sesi do të mbështeten financiarisht prej saj. E rëndësishme ishte edhe njohja me procesin e zhvillimit të praktikave profesionale pas përfundimit të studimeve në biznes, ku zyrat e punës i mbështesin për një periudhë 6 mujore me gjysëm pagese pranë bizneseve përkatëse.”, tha Puleri.
Shkolla e mesme profesionale “Thoma Papapano” ka pritur këtë vit mësimor 140 të rinj nga rajoni jugor.