• Lajme nga bota

Sulmi racist me 3 të vdekur në Florida/ Biden: S’ka vend për supremacinë e bardhë në SHBA

Gjirokastra 28 Gusht 2023

Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas sulmit me armë në Florida ku mbetën të vdekur tre persona me ngjyrë.

Sipas Bidenit, në Shtetet e Bashkuara s’ka vend për supremacinë e bardhë teksa rreth 200 njerëz morën pjesë të dielën në mbrëmje pranë dyqanit Dollar General në Jacksonville, ku 21-vjeçari Ryan Palmeter hapi zjarr ndaj tre personave me ngjyrë duke i lënë të vdekur në vend.

Guvernatori republikan i shtetit jugor Ron DeSantis – i cili ka dobësuar ligjet e Floridas për kontrollin e armëve  premtoi mbështetje financiare për sigurinë në Universitetin Edward Waters, kolegjin historikisht me ngjyrë afër vendit ku ndodhi sulmi për të ndihmuar familjet e prekura.

Jerrald Gallion (djathtas), një nga viktimat, i fotografuar me shoqen e tij, Sabrina Rozier. Ai u qëllua teksa hynte në dyqan

Ajo që ai bëri është krejtësisht e papranueshme në shtetin e Floridës. Ne nuk do të lejojmë që njerëzit të jenë në shënjestër bazuar në racën e tyre”, tha DeSantis për vrasësin.

Sherifi TK Waters i identifikoi viktimat si Angela Michelle Carr, 52 vjeç, e cila u qëllua disa herë në makinën e saj; punonjësi i dyqanit AJ Laguerre, 19 vjeç, i cili u vra ndërsa u përpoq të arratisej; dhe klienti Jerrald Gallion, 29 vjeç, i cili u qëllua teksa hynte në dyqan në një lagje ku mbizotërojnë njerëzit me ngjyrë.

Ndërkaq, presidenti Biden vuri në dukje se të shtënat ndodhën në të njëjtën ditë kur vendi shënoi 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, skena e fjalimit të famshëm të Martin Luther King Jr “I Have a Dream”.

Ne duhet ta themi qartazi dhe me forcë se supremacia e bardhë nuk ka vend në Amerikë”, tha presidenti Joe Biden.

Ne duhet të refuzojmë të jetojmë në një vend ku familjet zezake që shkojnë në dyqan ose studentët zezakë që shkojnë në shkollë jetojnë me frikën se mos vriten për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre”, theksoi presidenti amerikan.

Departamenti i Drejtësisë po heton ngjarjen si krim me motive raciste dhe si një “akt të ekstremizmit të dhunshëm me bazë raciste” tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland.