• Lajme nga bota

Sulmi ndaj ambasadorit të BE-së në Sudan, Borrelli: Shkelje e rëndë e Konventës së Vjenës

Gjirokastra 18 Prill 2023

Ambasadori i BE-së në Sudan u sulmua në rezidencën e tij. Lajmin e bëri me dije shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell me anë të një postimi në rrjetin social Tëitter, duke shkruar se ky sulm përbën një shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës.

Borrell deklaron se siguria e ambienteve diplomatike dhe e personelit, është përgjegjësi kryesore e autoriteteve sudaneze dhe detyrim sipas ligjit ndërkombëtar.

Borrell vuri theksin te nevoja urgjente për armëpushim në Sudan, ndërsa garantoi se “BE po punon për të bindur secilën palë që të marrë në konsideratë pauzën humanitare dhe të inkurajojë dialogun. Mbrojtja e civilëve është një detyrim sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Luftimet në Sudan prej tre ditësh kanë çuar në vdekjen e qindra civilëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

Luftimet pasojnë pas një përçarje midis liderëve të ushtrisë sudane dhe një grupi rival paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Të dielën (16 prill), të dy palët respektuan një armëpushim të përkohshëm për të lejuar evakuimin e të plagosurve.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka ndërprerë përkohësisht punën e tij në vend pasi tre nga stafi i tij u vranë.

Që nga një grusht shteti në tetor 2021, Sudani është drejtuar nga një këshill gjeneralësh dhe ka dy ushtarakë në qendër të mosmarrëveshjes. Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është kreu i forcave të armatosura dhe në fakt presidenti i vendit dhe zëvendësi i tij dhe udhëheqësi i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur më mirë si Hemedti.

Ata nuk kanë rënë dakord për drejtimin në të cilin po shkon vendi dhe lëvizjen e propozuar drejt sundimit civil. Një nga pikat kryesore të pengesave është mbi planet për të përfshirë RSF-në prej 100,000 trupash në ushtri dhe kush do të drejtonte më pas forcën e re.