Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla shprehu nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor lidhur me sulmet kibernetike.
Teksa riktheu në vëmendje sulmin kibernetik për institucionet publike pas së cilit qëndronte Irani, Balla u shpreh se legjislacioni shqiptar nuk është adekuat për t’iu përgjigjur situatave të tilla.
“Në kushtet kur Shqipëria një vit më pak ka qenë pjesë, ose një ndër vendet që janë vënë nën një sulm kibernertik, pas së cilit qëndronte Irani, duhet të falënderojmë aleatët tanë strategjik që po bashkëpunojnë me ne për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse, keqardhja jonë është që nga PD nuk ka qëndrim zyrtar për të mbështetur të gjithë reagimin institucional nga Kryeministri, te qeveria dhe institucionet e tjera, përshi dhe ato të sigurisë. Ne si Kuvend na takon dhe ne të bëjmë nevojën tonë, përmirësimin e kuadrit ligjor për situata të tilla. Sulmet janë të rënda, dhe kanë treguar se legjislacioni ynë nuk është adekuat për t’iu përgjigjur kësaj situate. Këto rezoluta që ne bëjmë, nuk mund të jenë qokë e institucionit, por një qëndrim i Kuvendit ndaj problemit, jo institucionit. Fenomeni, apo gjithë sektori duhet të jetë fokusi i rezolutave tona. Në rezolutë duhet të vinim dhe diçka për reagimin ndaj sulmit.
Nuk mund të jenë raportimet në Kuvend institucion për institucion.
Do kemi 4 raportime për drejtësi, KLGJ KLP Prokurori i përgjithshëm dhe SPAK. Janë të 4-ta për drejtësinë dhe qëndrimi i Kuvendit duhet të jetë për të 4-ta së bashku.
Duhet të gjejmë instrumentet për ta adresuar në mënyrë që të kemi mundësinë që të rrisim forcën monitoruese dhe udhëheqësin që Kuvendi ka për secilën prej tyre”, tha Balla.
Ky i fundit u shpreh se në seancën e ardhshme plenare, duhet të kalojë në Kuvend vendimi për ngritjen e një komisioni të posaçëm për ndërhyrje të huaja në proceset demokratike. Balla deklaroi se nevojitet mbledhje informacionesh mbi financimet e paligjshme ruse që kanë penetruar në parti të caktuara politike apo individë të caktuar. Balla theksoi se nevojitet përmirësim i legjislacionit për të parandaluar financime të tilla.
“Brenda seancës së ardhshme duhet të kalojmë në Kuvend vendimin për ngritje komisioni të posaçëm për ndërhyrje të huaja në proceset demokratike. Të mbledhin informacione mbi financimet e paligjshme ruse që kanë penetruar në parti të caktuara dhe individë të caktuar dhe për të përmirësuar legjislacionin për të parandaluar raste të tilla.
Qofshin këto dhe financime në media të caktuara”, tha Balla.