• Dropull

“Stop aksidenteve”/ Nxënësit e shkollës së Dervicianit përcjellin mesazhe ndërgjegjësuese për përdoruesit e rrugës

Ledja Fili 09 Mars 2023

“Stop aksidenteve”, është aktiviteti i organizuar sot nga nga nxënësit e klasave të 10 në Shkollën e Mesme të Bashkuar të Dervicianit. Të rinjtë kanë përcjelle mesazhe, tek drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët që të ndërgjegjësohen për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. Është më tepër se një aktivitet pasi nxënësit, kanë punuar për krijimin e kapeleve, fletëpalosjeve, por edhe mesazheve të ndryshme të shkruara ne copa druri të cilat ua shpërndanë përdoruesve të rrugës.

“Ky është një projekt i ndërmarrë nga klasa e 10 në lëndën e qytetarisë, ku trajtohet sinjalistika rrugore dhe sjellja në rrugë. Është një tematikë që përfshin disa veprimtari ku duhet që ne të ndërgjegjësojmë brezin e ri për t’i thënë stop aksidenteve. Duke marrë shkas dhe nga aksidentet e kohëve të fundit që po ndodhin në vazhdimësi, së bashku me nxënësit morëm këtë nismë. Kemi bërë gati broshura, kapele me dedikime dhe shprehje të ndyshme, të cilat po i shpërndajnë tek drejtuesit e automjeteve. Ata duhet të kuptojnë që shpejtësia vret. Duhet të kuptojnë se kush respekton veten e vetë respekton dhe të tjetët. Ky është synimi i këtij projekti që ne kemi ndërmarrë pikërisht me klasën e 10.”,- tha mësuesja Trëndelina Braho.

Në këtë nismë të tyre, të rinjtë e shkollës së Dervicianit u mbështetën edhe nga policia rrugore, efektivët e së cilës mundësuan ndalimin e automjeteve në rrugën nacionale, Gjirokastër – Kakavije.