Spanja mposhti Ukrainën 5-1 në finale në Fönix Arena në Debrecen, që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH, për të konfirmuar dominimin e saj në Europianin e futbollit të sallës për femra me tre fitore në po aq edicione të turneut. Për të mbërritur këtu, spanjollet mposhtën në gjysmëfinale Portugalinë, kundërshtarin e finaleve të 2019 dhe 2022. Ndërkohë, Ukraina mposhti Hungarinë, vendin organizator.
Shpresat e Ukrainës për të penguar Spanjën u zbehën pas vetëm 13 sekondash pasi Iryna Dubytska pengoi Dany-n dhe Peque shënoi nga pika e bardhë golin më të shpejtë në historinë e finaleve. Ukraina tentoi të reagojë disa herë me anë të Anna Shulha, por pësoi 2-0 nga Irene Samper, falë një devijimi të Taisiia Babenko. Pak para pushimit Ale de Paz shënoi 3-0 në kundërsulm.
Pjesa e dytë ishte kopje e së parës: pas vetëm 26 sekondash Peque gjen Samper në të djathtë të zonës për golin e 4-0. Ukraina shkurtoi distancën me një goditje të devijuar të Shulhas, por goli i fundit ishte përsëri spanjoll, me Dany që vodhi topin në gjysmëfushën e saj dhe e depozitoi në portën e kundërshtarit.
Më herët, në Fönix Arena, Portugalia triumfoi në finale për vendin e tretë duke mposhtur Hungarinë me një rezultat të thellë 12-0.