• Lajme kombëtare

“SPAK kontakte me Iranin për pajisjet e sekuestruara në Manzë”/ Policia e Shtetit: E pavërtetë

Gjirokastra 07 Korrik 2023

Policia e Shtetit ka reaguar mbi lajmet dhe informacionet që qarkullojnë në mediat e vendit sipas të cilave pajisjet e sekuestruara në kampin ASHRAF 3 në Manzë të Durrësit janë dërguar në Iran.

Në përgënjeshtrimin e këtyre informacioneve, Policia e Shtetit thekson se SPAK nuk ka pasur asnjë kontakt me shtetin iranian apo shtetas të këtij vendi për t’iu dhënë pajisjet e sekuestruara në Durrës.

“Policia e Shtetit prej disa ditësh, ndjek në rrjete sociale dhe në media, njoftime të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me veprimet e kryera nga Policia, përsa i përket pajisjeve të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023.

Në këto njoftime bëhet me dije apo lihet të nënkuptohet, se pajisjet kompjuterike të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023, janë dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe se ka patur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti, në lidhje me to apo për më gjerë përsa u përket hetimeve që po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Për këtë arsye Policia e Shtetit ka dhënë shpjegimet përkatëse:

  • Asnjë nga strukturat e saj hetimore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka patur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti.
  • Të gjitha pajisjet e sekuestruara janë vendosur në dispozicion të strukturës përkatëse e cila do të kryejë ekspertimet digjitale, sipas procedurës ligjore.
  • Asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të gjitha njoftimet që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media për sa më sipër, janë jo vetëm të rreme por dhe në raste specifike kanë qëllime të tjera të cilat shkojnë përtej informimit të publikut.

Kujtojmë se më 20 qershor Policia e Shtetit me urdhër të SPAK dhe vendimit të GJKKO ushtroi kontrolle në kampin e MEK, ku u përball me protestat e banorëve të Ashrafit.

Këta të fundit pretenduan se një prej tyre humbi jetën si pasojë e kësaj përplasje, teksa u mohua nga Policia dhe Ministria e Brendshme, të cilat bën me dije se veprimet e grupimit të MEK ranë ndesh me marrëveshjen e 2014, sipas së cilës do vendoseshin në Shqipëri për qëllime humanitare.

15 efektivë dhe 21 banorë të kampit u lënduan si pasojë e reagimit të muxhahedinëve ndaj kontrollit të policisë.

Efektivët blu arritën që të sekuestronin në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karta memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilët tentuan ti asgjësonin me djegie, disa anëtarë të MEK.

Në total u kontrolluan 17 mjedise, por brenda kampit numërohen rreth 127 objekte, të ndërtuara në një territor prej 38-40 hektarë.