• Lajme kombëtare

Sot Dita e Europës, uron politika: E ardhmja jonë është BE! Hohmann: Ndihuni krenarë për arritjet e vendit

Gjirokastra 09 Maj 2023

 Maji shënon Ditën e Europës, e cila shoqërohet me zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. Në kuadër të kësaj dite nuk kanë munguar dhe urimet e politikës në vend, ku theksin kryesor e kanë vënë në rrugën e vendet drejt Bashkimit Europain.

Në një aktivitet të zhvilluar në Malin e Dajtit për këtë ditë, ambasadorja e BE në Tiranë Christiane Hohmann vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria drejt BE, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e rinisë për të ecur përpara me integrimin. Hohmann shtoi se Shqipëria duhet të ndihet shumë krenare për të gjitha arritjet.

“Përpara 1 viti nuk ishin çelur negociatat me Shqipërinë, sot jemi në muajin maj dhe në korrik vjet ishte konferenca e parë ndërqeveritare. Shqiptarët duhet të jenë shumë krenar, keni ecur goxha në këto 10-12 muaj. Ka ende shumë për t’u bërë që Shqipëria të jetë shtet anëtarë me të drejta të plota. Shqipëria është Europë, s’mund ta theksoj më shumë se kaq këtë gjë. Dita e Europës duhet të festohet me të gjithë. S’ka vend më të mirë se ky vend që jemi sot në Malin e Dajtit për të festuar rininë e Shqipërisë. Kemi malin e Dajtit që duket gjithandej nga Tirana.

Me aftësitë e duhura do ecni përpara më shpejt. S’bëhet fjalë për një profesion, po të shikoni rrjetin social të delegacionit ka shumë aftësi në përbërje të ekipit tonë. Pse mos të vendosni aftësinë tuaj në një video dhe të rrëfeni ju se si përfitoni ju nga këto aftësi. Kjo është sfida jonë kryesore në Shqipëri. Na duhen përpjekjet e përbashkëta. Edhe pse jemi në mal, ndonjëherë ia vlen të bësh një hap pas e të reflektosh për ato gjëra që janë bërë”, tha Hohman.

Edhe kryenegociatorja për integrimin në BE, Majlinda Dhuka tha se Shqipëria ndan të njëjta vlera si  Europa dhe se sot festohet dita e solidaritetit, sundimit të ligjimit dhe diversifikimit kulturor.

“Europa është këtu! Viti 2022 ishte një vit shumë i rëndësishëm dhe historik për Shqipërinë. Hapëm negociatat për t’u bërë anëtarë të BE. Që prej korrikut të vitit të shkuar kemi punuar intensivisht në procesin e negociatave. Të gjitha institucionet e angazhuara me profesionalizëm në kalimin e fazës së parë me qëllim integrimin e përshpejtuar në BE. Sot dita e Europës, dita e solidaritetit, sundimit të ligjit, demokracisë, diversistetit kulturor. Ne ndajmë të njëjtat vlera me BE. Identiteti ynë thellësisht europianë. Perspektiva e të qenit vend anëtarë e afërt. BE në raste të ndryshme ka dhënë mesazhe të forta, që integrimi është i vërtetë dhe pranë”, tha Dhuka.

Një foks të veçantë Dhuka i kushtoi edhe rinisë, ku tha se ato janë vlera më e madhe e kombit dhe familjes europiane.

“Sot në fakt dua të ndalem tek të rinjtë. Shqipëria është një vend i ri, një nga vlerat më të mëdha që Shqipëria do të sjell në familjen europiane. Të rinjtë janë burimi energjisë. Shqipëria ka shumë cilësi, gatimin, artizanatin, artin, të aftësive sipërmarrësve, inovacionit…etj. Shqipëria po punon për të ndërtuar më shumë mundësi për të rinjtë në fushën e aftësive. Unë do përmend disa prej tyre, garancia rinore, një nisëm nën modelin e BE, që po e zhvillojmë përpara se të jemi anëtarë të BE.

Nisma mbështetje e madhe për të rinjtë, duke zhvilluar aftësitë. Kjo veçanërisht për ata të rinj që s’janë pjesë e tregut të punës, për t’i dhënë këtyre mundësi punësimi. Një tjetër mundësi është hapja e 10 qendrave të inovacionit rinor, për t’i dhënë të rinjve inovator për të transformuar ekonominë shqiptare drejt integrimit në BE. Ardhja e kolegjit të Europës është një mundësi për t’u aftësuar dhe për të ndërtuar të ardhmen europiane në vendin tonë. Dua t’ju uroj gëzuar ditën e Europës”, tha Majlinda Dhuka.

Urimet erdhën edhe nga Presidenti Bajram Begaj, i cili tha se Shqipëria i përket BE-së.

“Le të festojmë sot në Ditën e Evropës unitetin dhe paqen, vlera që Shqipëria i ndan me të gjitha vendet evropiane. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, është e qartë se Shqipëria i përket BE-së për shkak të lidhjeve të saj kulturore, historike dhe politike me Evropën”, tha Begaj.

Edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha se Shqipëria është sot më afër se kurrë realizimit të kësaj ëndrre historike të popullit shqiptar.

“Sot ne festojmë Ditën e Evropës, një ditë që na bashkon të gjithëve, në një ëndërr për një të ardhme bashkimi e vlerash të përbashkëta. Pas më shumë se 3 dekadash pune e sakrifice, Shqipëria është sot më afër se kurrë realizimit të kësaj ëndrre historike të popullit shqiptar. Ne jemi sot më të përkushtuar se kurrë për të bërë gjithçka që duhet që vendi ynë të zërë vendin që i takon si anëtar i BE-së”, shkruan Xhaçka.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla uruan gjithashtu Ditën e Europës duke treguar se rruga e Shqipërisë është drejt BE-së.

“9 Maji, Dita e Europës, mishëron idealin, i cili përgjatë shtatë dekadave u shndërrua në projektin politik, ekonomik e kulturor më emancipues e qytetërues të botës moderne. Familja e madhe europiane, ky realitet për qytetarët e Europës, është bërë sot ideali demokratik, ëndrra që po prekin shqiptarët dhe frymëzim për të gjithë kombet që aspirojnë për lirinë, demokracinë liberale, vlerat perëndimore.

Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonimi i paqes, bashkimit, perëndimit, modernizimit, dhe mirëqenies. Europa është fari që orienton botën e sotme të trazuar, është busulla që tregon lëvizjen e kombeve drejt zhvillimit e progresit, është udhëharta drejt bashkimit, sigurisë dhe paqes. Ne, shqiptarët, jemi krenarë për rrënjët, identitetin, vizionin, vlerat, të ardhmen tonë të sigurtë europiane”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.