• Lajme kombëtare

Siguria/ Balla: Do ashpërsojmë ligjin për veprat penale brenda perimetrit të shkollave, edhe për bizneset

Gjirokastra 01 Shtator 2023

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në prezantimin e Paketës së sigurisë në institucionet arsimore deklaroi se brenda javës, policia vendore dhe bashkitë duhet të identifikojnë dhe përcaktojnë perimetrin e sigurisë së çdo shkolle.

Po ashtu, ministri ngarkoi Policinë e Shtetit me garantimin e sigurisë publike.

Policia e Shtetit ka detyrën e garantimit të sigurisë publike në të gjitha format. Kur prindërit, gjyshërit, i çojnë fëmijët në shkollë, ata ia besojnë fëmijët Shtetit. Jo vetëm institucioneve arsimore, publike a private ku i kanë regjistruar.

Strukturat vendore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Bashkitë, do të identifikojnë dhe përcaktojnë Perimetrin e sigurisë së çdo shkolle, sipas vlerësimit të situatës në terren, por në çdo rast jo më pak se 50 metër rreth gardhit kufizues të secilës shkollë,” tha Balla.

Ministri theksoi se brenda muajit do të propozohet një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.

Brenda këtij muaji, do të propozojmë një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, duke filluar në radhë të parë nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, e më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie.  Objektivi ynë kryesor është parandalimi i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si dhe goditja pa kompromis e rrjetit të shpërndarjes së drogës në Perimetrin e Sigurisë në shkolla e në rang vendi. Në ditët në vijim dhe sistematikisht në javët në vijim, unë pres nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, rezultate domethënëse në luftën kundër “spaciatorëve”. Ky është një Operacion Kombëtar, më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, nën komandën direkt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,” deklaroi Ministri.

Sa i përket sigurisë rrugore, Balla bëri me dije kërkesën që do u bëhet Bashkive për të marrë masat e nevojshme për vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës rrugore, vertikale dhe horizontale, dhe semaforëve të nevojshëm brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, brenda një afati 90 ditor nga sot.

Pas përfundimit të afatit, Ministri u shpreh se do të merren masat ndëshkuese ndaj kryetarëve të bashkive.

Zbatimin e dënimit më të lartë të parashikuar nga Kodi Rrugor për tejkalimin e shpejtësisë në rrugët që përfshihen brenda Perimetrit të sigurisë së shkollave. Kam besim se Kuvendi i Shqipërisë, shumica dhe opozita, do të na mbështesin nëse do të jetë e nevojshme për ndryshime të reja në Kodin rrugor, të cilat lidhen me sigurinë e fëmijëve, nxënësve në rrugët brenda Perimetrit të Sigurisë,” tha Balla.

Po ashtu, Balla theksoi se do të ngrihet një  Task Forcë e posaçme, e kryesuar nga Prefekti i qarkut, për të siguruar marrjen e masave brenda Perimetrit të sigurisë në shkolla.

Oficerët e Sigurisë në Shkolla, do luajnë një rol kyç në zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Ata duhet të raportojnë në kohë të gjitha situatat që mund të rrezikojnë apo cenojnë sigurinë publike.

Në ditët që vijnë, në bashkëpunim me MAS do të keni gati e raportimit të përjavshëm që do të duhet të plotësohet prej Oficerëve të Sigurisë në shkolla dhe t’i dërgohet Policisë së Shtetit lidhur me të gjitha situatat e konstatuara në ushtrimin e detyrës brenda shkollës dhe Perimetrit të Sigurisë,” u shpreh ministri.