• Gjirokastër

Si të përdorim median në mënyrë të shëndetshme / Trajnim nga Instituti i Medias në universitetin “E.Çabej”

Gjirokastra 26 Maj 2023

Si të përdorim median në mënyrë të shëndetshme. Me këtë qëllim është organizuar në universitetin e Gjirokastrës një trajnim nga Instituti Shqiptar i Medias, ku pjesë u bënë pedagogë dhe studentë që ndjekin degë të mësuesisë. Dy ekpertë të medias Lutfi Dervishi dhe Edlira Gjoni vendosën  theksin te roli që kanë mësuesit në kultivimin e kompetencave të duhura në këtë fushë për nxënësit dhe të rinjtë. Disa nga temat e prekura prej tyre ishin analizimi i informacionit të një faqeje web për të kuptuar përmbajtjen që ajo transmeton; mjetet që mund të përdoren për të gjetur informacion për një temë të caktuar; specifikat e motorëve të kërkimit; ndërtimi i rutinës së kërkimit të informacionit; si duhet të trajtojmë informacionin që hasim në rrjete sociale; kultivimi i mendimit kritik për informacionin etj.

“Edukimi mediatik sot është një fjalë e ditës sepse jetojmë në epokën e teknologjisë, internetit në ditët kur kemi shumë e shumë informacione, por jo të gjitha janë të vërteta. Jo më kot ka dalë dhe termi “fake news”. Në takimin e sotëm, në universitetin e Gjirokastrës, kjo ishte ideja që me studentët dhe pedagogët të diskutojmë se si mundet që ne të informohemi në mënyrë sa më të shëndetshme, ku lajmet në këtë epokë nuk mungojnë por janë me shumicë. Arsyeja tjetër ka të bëjë me faktin e inteligjencës artificiale. Pra tashmë komunikimi nuk është thjesht mes njerëzve,por bëhet dhe përmes saj. Nuk janë vetëm njerëzit që tregojnë histori, por edhe inteligjenca artificiale. Si çdo e re që vjen ka avantazhet e veta të padiskutueshme, ndonjëherë këto kanë edhe atë pjesën më pak të sigurt dhe mënyra më e mirë për ta përballuar është  një diskutim për të parë se çdo të kishim si avantazh dhe cfarë do të kishim kujdes në ditët e sotme.”- tha ekspreti i medias, Lutfi Dervishi.

“Tema e edukimit mediatik është bërë shumë e rëndësishme që të përhapet sa më herët që të jetë e mundshme. Mosha nga klasa e 5-9 është mosha e duhur që të ekspozohen ndaj edukimit mediatik, dhe këtë mund ta mësojnë vetëm nga mësuesit e tyre. Pra nëse nuk trajnojmë mësuesit atëherë nuk trajnojmë dot as nxënësit që nesër do të kenë nevojë të dinë si ta përdorin median, rrjetet sociale, dixhitalizimin, si të ruhen nga keinformimi, disinformimi, si ti dallojnë nga njëra tjetra dhe si t ë mos bien pre e përdorimit mediatik. Duhet ta përdorin ata median dhe jo kjo e fundit ti përdorë fëmijët si përdorues. Ndaj bëhet dhe ky trajnin në rang vendi, veçanërisht në universitetet që ofrojne deget e mësuesisë, sepse duam që mësuesit e ardhshëm të përfitojnë njohuri, por të ndiejnë një lloj përgjegjësise si autoritete që do jenë përballë nxënësve nesër. Media nuk është armik, nuk është as miku që duhet mbajtur 24 orë në rrjetet sociale, por është një mjet që duhet përdorur me përgjegjshmëri.”- tha ekspertja e medias, Edlira Gjoni.

“Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”, është një projekt i Institutit Shqiptar të Medias i cili po zbatohet me financim të Ambasadës Amerikane.