“Shtatori i Lirisë”, titullohet aktiviteti i organizuar sot në 79 vjetorin e Çlirimit të Gjirokastrës nga Qendra Kulturore “Fato Berberi”. Fëmijët, në shenjë mirënjohje për sakrificat e djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimin e qytetit tonë, përformuan këngë, pjesë të ndryshme në violinë e interpretuan poezi kushtuar heroizmit të tyre në luftën Antifashiste Naciona lçlirimtare.
Të pranishëm në montazhin muziko-letrar, që erdhi si një homazh për luftën dhe në veçanti për dëshmorët e qytetit të Gjirokastrës, ishin dhe drejtues të pushtetit lokal e përfaqësues të institucioneve. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e jashtme të godinës që njihet si ish shtëpia e oficerëve, prej nga komanda e brigadës së 14 sulmuese drejtoi luftimet për çlirimin e Gjirokastrës. Gjirokastra i dha luftës 494 djem e vajza që radhiten në librin e dëshmorëve të Shqipërisë, aprovuar nga Ministria e Brendshme në vitin 2012.