Kuvendi ka urdhëruar thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ditën e martë (11 korrik) në orën 16:00. Në fokus të mbledhjes është shqyrtimi i kërkesës së SPAK për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Kjo mbledhje do të zhvillohet me dyer të mbyllura me qëllim respektimin e kuadrit ligjor proceduaril penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.
“Në mbështetje të nenit 73 të kushtetutës, neni 288 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 pika 4 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit,
Urdhëroj:
“Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Arben Ahmetaj,.
Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, sipas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të zhvillohet me dyer të mbyllura, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.
Ngarkohet Sekretari i përgjithshëm për njoftimin e deputetit, z.Arben Ahmetaj dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.
Ngarkohen Shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare, të urdhrit dhe kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.