Shqipëria do të mirëpresë në datat 3 deri me 5 prill Forumin Nderkombëtar të Turizmit.
Ky aktivitet ndërkombëtar i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit do të mbledhë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 40 vende të botës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e vlerësoi këtë organizim si angazhim të veçantë për t’u orientuar drejt turizmit të qëndrueshëm, të përgjegjshëm dhe që respekton mjedisin.
Sipas zonjës Kumbaro forumin e nderojnë miq të veçantë të Shqipërisë si Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili dhe Zv/Presidenti Ekzekutiv i Komisionit Europian, Frans Timmermans, si dhe kolegë ministra europianë dhe përfaqësues të sektorit privat.
Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brandimi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.
Ky forum do të jetë edhe një mundësi për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit.