Më 1 shtator, Shqipëria rimerr për herë të dytë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha të enjten (31 gusht) se edhe ky mandat do të përqendrohet te lufta në Ukrainë dhe pasojat e agresionit rus.
“Aktiviteti shënjues i presidencës sonë do t’i kushtohet agresionit rus të Ukrainës. Kjo është një nga çështjet që ne kemi punuar më shumë si bashkëpenëmbajtës bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një çështje që ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e aleatëve për seriozitetin dhe profesionalizmin, si dhe guximin që ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën dhe dënuar Rusinë.
Do të organizojmë një debat të hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit që do të fokusohet në pasojat e agresionit rus në Ukrainë,” u shpreh Xhaçka.
Gjithashtu, Xhaçka theksoi se Shqipëria do të japë kontributin e saj në rastin e krizave humanitare gjë për të cilën është ndërtuar një platformë e re bashkëpunimi me SHBA-të dhe organizatat më të mëdha në këtë fushë.
“Vendi ynë, ekipi ynë ka bashkëpunuar me organizata dhe korporata të mëdha amerikane për të ndërtuar një platformë të madhe bashkëpunimi në mënyrë që ato të ofrojnë kontributin qoftë financiar, qoftë në mallra apo në shërbime apo në situata krizash humanitare duke krijuar sinergji. Nga ana tjetër, për këto ndihma dhe kontribute do të koordinohet puna në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe kohën e duhur për ata të cilët realisht kanë nevojë.
Bëhet fjalë për të mbledhur së bashku në një platformë inovative bashkëpunimi të bizneseve dhe korporatave të mëdha që duan të japin kontributin e tyre humanitar por kanë vështirësi për ta bërë këtë përmes mekanizmave ekzistues të OKB-së. Për këtë arsye kanë zgjedhur bashkë me ne për të ndërtuar një platformë të re bashkëpunimi. Ideja është pritur mjaft mirë nga grupe të ndryshme interesi dhe vendit tonë i takon merita si një nga iniciatorët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj iniciative por edhe që e ka sjellë atë në vëmendje të Këshillit të Sigurimit”, ka theksuar Xhaçka.
Më 1 janar të vitit të kaluar Shqipëria u bë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shqipëria bën pjesë në organizatë që nga dhjetori i vitit 1955 dhe ka përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme.