• Sport

Shqipëria e Kosova, himni i bën bashkë

Gjirokastra 15 Qershor 2023

Shqipëria dhe Kosova, dy skuadrat e moshës deri në 19 vjeç në futboll, janë bërë bashkë në këndimin e himnit kombëtar. Gjithçka ka ndodhur në “Kukës Arena” të mërkurën, atje ku është luajtur dhe miqësorja e parë, ndërsa një pamundësi teknike nga qendra e zërit në stadium nuk bëri të mundur ekzekutimin e himnit të Kosovës dhe Shqipërisë. Për rrjedhojë lojtarët e të dy skuadrave, por dhe stafet teknike e futbollistët rezervvë, kapur krah për krah, e kanë kënduar vetë himnin, ndërsa më pas është dhënë dhe starti i ndeshjes nga shkodrani Dragusha.

Një ndeshje e cila përfundoi 1-0 për Shqipërinë me golin e Adi Kurtit në fundin e takimit, kurse ndeshja e dytë luhet të premten po në “Kukës Arena” në ora 10:30. Një ndjenjë patriotizmi e lartë që vjen nga sporti, kjo në të gjitha disiplinat ku Shqipëria e Kosova janë përballë njëra-tjetrës.