Shqipëria dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore.
Marrëveshja rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit, pagesës së përfitimeve në rast sëmundjesh ose aksidentesh në profesion, si edhe kushtet për dhënien e llojeve të ndryshme të pensioneve.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punës dhe Politikës Sociale, Lazar Lazarov, në prani të Ambasadores së Shqipërisë në Bullgari, Donika Hoxha nënshkroi Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë shkruhet në postimin në facebook të faqes së ambasadës shqiptare.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Duke iu përgjigjur interesit të rtsh.al zyra e shtypit pranë Ministrisë së Jashtme informon: “Marrëveshja zbatohet për legjislacionin e sigurimeve shoqërore për përfitimet e pensionit të pleqërisë, të invaliditetit dhe për sëmundje për personat e punësuar dhe të vetëpunësuar. Ajo gjithashtu rregullon kushtet për pagesën e llojeve të ndryshme të pensioneve – për kohëzgjatjen e shërbimit dhe moshën, paaftësinë për shkak të sëmundjes së përgjithshme, paaftësinë për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, si dhe pensionet e trashëguara. “
Nënshkrimi i këtij dokumenti dypalësh ndërkombëtar është i rëndësishëm për rregullimin e të drejtave sociale të qytetarëve dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.
“Në këtë konteskt, do të përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptar që jetojnë dhe punojnë në Bullgari, që mund kryejnë qoftë edhe një aktivitet të njëhershëm, punonjësit sezonalë, numri i të cilëve është i ndryshëm nga viti në vit. Është me rëndësi të theksohet se marrëveshja me Bullgarinë parashikon se periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të dy shteteve do të mund të bashkohen” nënvizon mesazhi.
Nga pala shqiptare, marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në Tiranë më 15 mars 2023. Pas firmosjes marrëveshja ratifkohet në parlamentet e të dy vendeve dhe hyn në fuqi.
Kryeministri Edi Rama në një postim të tij në facebook e quajti tjetër sukses në njohjen e sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
Marrëveshjet e firmosura deri tani
Gjatë vitit 2022 Shqipëria ka finalizuar mbi 16 marrëveshje për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, sikurse dhe për të huajt që jetojnë në Shqipëri.
Mes shteteve që është finalizuar marrëveshja është Zvicra, Kroacia, Mali i Zi dhe Kroacia. Sa i përket njohjes reciproke të kontributeve me Greqinë janë zhvilluar takime dhe do vijojnë sërish deri në arritjen e një marrëveshje. Në korrik 2022 me Italinë u arrit dakordësimi i marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri. Por ende kjo marrëveshje nuk është nga qeveritë dhe më pas nga parlamentet e të dy vendeve.