• Gjirokastër

Shëndeti mendor te fëmijët / Si ndikon prindërimi

Gjirokastra 03 Nëntor 2023

Mbikujdesja e prindit ndaj fëmijës është një nga arsyet pse ai preket nga probleme të shëndetit mendor dhe shfaq shenja paralajmëruese si rrezik për të kaluar në një çrregullim mendor, nëse nuk trajtohet apo kërkon ndihmë. Të paktën në këtë konkluzion ka arritur psikologia Anjeza Avduli pas rasteve të trajtuara prej saj. Ky lloj prindërimi  nuk i lejon fëmijët të zhvillojnë vetëbesimin, aftësinë për të marrë vendime dhe i bën ata të ndihen më të ndjeshëm ndaj situatave stresuese me të cilat mund të përballen në shkollë e shoqëri. “Gjatë punës sime me fëmijë dhe adoleshentë kam vërejtur se shenjat paralajmëruese e kanë zanafillën te marrëdhëniet që janë ndërtuar me prindërit. Këta duhet të kuptojnë se duhet të bejnw rolin e tyre. Jo ti trajtojnë ata si shokë, por t’u tregojnë kufij e rregulla. Të mos jenë shumë mbrojtës pasi bëhen të pazotë për tu përballur me situata të ndryshme me të cilat mund të hasen në shkollë e shoqëri.Duhet të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme që kanë në bazë komunikimin dhe respektin. Kështu do të rrisim fëmijë me vetëbesim që kanë respekt për veten dhe të tjerët. Në këtë mënyrë krijojnë edhe faktorë përballues, e janë të përgatitur për situatat që mund të gjenden”, – thotë psikologia Anjeza Avduli. Nga eksperienca e saj afro 15 vjecare si psikologe, Avduli shprehet se vit pas viti është rritur numri i prindërve që kërkojnë ndihmë për problemet që shqetësojnë fëmijët,por paragjykimet vazhdojne të jenë prezente në shoqërinë tonë.  Të gjitha moshat mund të preken nga problemet e shëndetit mendor ,pa u përjashtuar as fëmijët. Sipas psikologëve stili i prindërimit renditet ndër shkaqet kryesorë  pse fëmijët përjetojnë gjendje psiko – emocionale të destabilizuar.  Thirrja që vjen për ta është të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme që ka në bazë komunikimin dhe respektin.