• Lajme nga bota

SHBA: Një “balonë spiune” kineze po fluturon mbi vendin tonë! Synimi, marrja e informacioneve të ndjeshme

Gjirokastra 03 Shkurt 2023

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se po gjurmojnë një objekt të dyshuar “balonë spiune” kineze, që është parë duke fluturuar mbi vende të ndjeshme ditët e fundit. Zyrtarët e mbrojtjes thanë se ishin të bindur se “baloni i mbikqyrjes në lartësi të madhe” i përkiste Kinës, ndërsa së fundmi është parë mbi shtetin perëndimor të Montanës.

Por udhëheqësit ushtarakë vendosën të mos e rrëzonin atë pasi kishte shqetësime mbi rrezikun e rënies së mbeturinave. Kina nuk ka komentuar ende në lidhje me këto deklarata.

Kanadaja tha të premten se po monitoronte “një incident të dytë të mundshëm” që përfshinte po ashtu një balonë vëzhgimi, por nuk tha se cili vend mund të qëndronte pas saj. Kanadaja deklaroi se po punon ngushtë me SHBA-në për të “mbrojtur informacionin e ndjeshëm të Kanadasë nga kërcënimet e inteligjencës së huaj”.

Objekti fluturoi mbi Ishujt Aleutian të Alaskës dhe përmes Kanadasë përpara se të shfaqej mbi qytetin Billings në Montana, thanë zyrtarët.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se qeveria përgatiti avionë luftarakë, përfshirë F-22, në rast se Shtëpia e Bardhë urdhëronte që objekti të rrëzohej. Udhëheqësit e lartë ushtarakë, duke përfshirë sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe gjeneralin Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA, u takuan të mërkurën për të vlerësuar kërcënimin.

Montana, një shtet me popullsi të rrallë, është shtëpia e një prej vetëm tre fushave silo raketore bërthamore në vend, në bazën e Forcave Ajrore Malmstrom, dhe zyrtarët thanë se balona e dukshme spiune po fluturonte mbi vende të ndjeshme për të mbledhur informacion.

Por ata këshilluan që të mos ndërmerren veprime kinetik kundër balonës për shkak të rrezikut që rënia e mbeturinave mund të paraqesë për njerëzit në tokë.

Zyrtari i mbrojtjes, megjithatë, tha se nuk kishte asnjë “kërcënim të rritur ndjeshëm” të rrezikimit të inteligjencës amerikane sepse zyrtarët amerikanë “e dinë saktësisht se ku është kjo balonë dhe saktësisht se ku po kalon”.

Ai shtoi se gjithashtu nuk kishte asnjë kërcënim për aviacionin civil pasi balona ishte “në mënyrë të konsiderueshme” mbi lartësinë e përdorur nga linjat ajrore komerciale.

Zyrtari tha se balona nuk ka gjasa të japë shumë më tepër informacion se çfarë Kina mund të mbledhë tashmë duke përdorur satelitët./ BBC

/rtsh.al/