Afrimi i sezonit turistik, ka bërë që qeveria të ashpërsojë masat ndëshkuese, lidhur me të gjitha ato biznese apo individë të cilët shkatkojnë ndotje akustike në mjedis.
Ndëshkimin më të madh do ta kenë ato biznese të cilat ushtrojnë aktivitete pa leje mjedisore, të cilat lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar. Gjoba për këtë kategori do të luhatet nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
Kurse lëshimi i zhurmës nga veprimtaritë mbi nivelin kufi të lejuar, përfshirë edhe muzikën, do të jetë nga 200 000 lekë deri në 400 000 lekë.
Një planin e masave ndëshkuese qeveroia ka futur edhe ato biznese apo individë të cilët shkatkojnë zhurma në mjedise të qeta, të shpallura të tilla me akt nënligjor të organeve të qeverisjes qendrore apo të vetëqeverisjes vendore, të cilat shkojnë nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
Bizneseve do tu kushtojë shtrenjtë edhe refuzimi ose moslejimi i grupit të kontrollit për të kryer matjet e ndotjes akustike, që luhatet nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
„Fillimi i punës ose i veprimtarisë, pa zbatuar masat e mbrojtjes nga zhurma, që kërkohen për zhvillimin veprimtarisë që lëshon zhurmë, do të gjobitet nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë. Kurse instalimi dhe vënia në punë e makinerive dhe impianteve në mjedise të brendshme apo të jashtme, pa zbatuar masa mbrojtëse, zhurma e të cilave kapërcen nivelin kufi, do të shoqërohet me një gjobë nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.”- thuhet në vendim.
Në vendim është përcaktuar se “Zonë turistike” do të konsiderohet zona me vlerë natyrore të peizazhit, historike, kulturore, sportive, shëndetësore dhe pushimi.
Bashkia
Bashkia do të jetë institucioni përgjegjës për marrjen e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga veprimtaritë ekonomike apo sociale që lëshojnë zhurma brenda juridiksionit të saj, nëpërmjet:
- a) hartimit dhe zbatimit të planeve vendore të veprimit për zhurmën, të cilat miratohen nga këshilli i bashkisë;
- b) hartëzimit të zhurmës;
- c) shpalljes së zonave të qeta në një mjedis të banuar apo në një mjedis të hapur, si dhe vendosjes së kufizimeve për zhurmën, në përputhje me nivelet e lejuara të zhurmave në mjedis dhe kriteret e parashikuara në planin vendor të veprimit;
ç) kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës, të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë, si dhe marrjen e masave administrative, pezullimin apo mbylljen e veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji, me përjashtim të veprimtarive që kontrollohen nga organet e tjera të përcaktuara në këtë ligj;
- d) bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij ligji dhe akteve të dala në zbatim të tij.
Policia
Ndërsa Policia e Shtetit do të jetë përgjegjëse për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi, nëpërmjet:
- a) kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika;
- b) kontrollit, matjes, pezullimit apo mbylljes së veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji.
„Për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 12:00 deri në orën 24:00. Brenda orarit të lejuar, personat fizikë e juridikë respektojnë nivelin kufi të zhurmës, të përcaktuar me akt nënligjor, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Në rast se punonjësi i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit nuk ushtron kontroll, apo nuk merr masë administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji, ndaj tij merret masë sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.”- thuhet në vendim.
Bashkia, një vit pas hartëzimit të zhurmës dhe përgatitjes së hartave strategjike të zhurmës, harton planin vendor të veprimit, duke mbajtur në konsideratë Planin e Përgjithshëm Vendor, kur:
- a) brenda territorit të tyre kanë nën administrim të paktën një aglomerat;
- b) brenda territorit të tyre ndodhen zona turistike;
- c) gjenden në afërsi të:
- një rruge kryesore rajonale, kombëtare ose ndërkombëtare, në të cilën ka më shumë se 3 (tre) milionë lëvizje automjetesh në vit;
- një hekurudhe kryesore, në të cilën ka 30 000 (tridhjetë mijë) lëvizje trenash në vit;
- një aeroporti kryesor civil, në të cilin ka më shumë se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lëvizje në vit, ku lëvizje është një ngritje ose një ulje, duke përjashtuar lëvizjet për qëllime të trajnimit të avionëve të lehtë.
Matjet
Matjet për nivelin e zhurmës do të kryhen nga:
- a) Agjencia Kombëtare e Mjedisit për instalimet e pajisura me leje mjedisi;
- b) Policia e Shtetit për veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika, mbi nivelet e lejuara kufi;
- c) bashkia për veprimtaritë e tjera që lëshojnë zhurmë, mbi nivelet e lejuara kufi.
Matjet do të kryhen në kuadër të kontrolleve dhe në funksion të zgjidhjes së ankesave të organeve shtetërore, të publikut e të personave juridikë e fizikë drejtuar ministrisë, ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë dhe bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet burimi i zhurmës.