• Gjirokastër

Sëmundjet kardiovaskulare / Dimri shton numrin e vizitave në urgjencën e Gjirokastrës

Gjirokastra 13 Dhjetor 2023

Sezoni i dimrit është më i rrezikshmi për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Janë temperaturat e ulëta, që e karakterizojnë këtë stinë, ato që ndikojnë drejtëpërdrejt  në shtimin e problemeve të zemrës. Kjo është reflektuar edhe në numrin e rasteve të paraqitura pranë urgjencës së spitalit të Gjirokastrës gjatë kësaj periudhe të cilat sipas shefes së këtij shërbimi Asife Shehaj janë shtuar.

“Ulja e temperaturave ka bërë që pacientët që vuajnë nga problematikat kardiake të kenë një përkeqësim të klinikës së tyre dhe janë detyruar t’i drejtohen urgjencës. Nuk mungojnë rastet e  aksidenteve vaskulare cerebrale që do të thotë goditje në tru. Këto raste marrin ndihmën e parë në urgjencë, kryejnë ekzaminimet përkatëse dhe hospitalizohen në spitalin tonë. Ndërsa rastet më të rënda transferohen në Tiranë për ekzaminime dhe trajtime më të specializuara. Pacientëve me problematika kardiake u rekomandohet një ndjekje më e rregullt tek mjeku specialist për marrjen e terapive ambulatore për kontrollin e sëmundshmërisë”, thotë Asife Shehaj, shefe e urgjencës.

Për këtë kategori këshillohet shmangia e ekspozimit në temperatura të ulëta. Po ashtu, duhet të mbrohen nga virozat që qarkullojnë gjatë stinës së ftohtë pasi prekja prej tyre bëhet shkak i ndërlikimit të gjendjes  shëndetësore.