• Lajme kombëtare

Sekretarja e Përgjithshme e OSBE: Shqipëria arritje në politikën e jashtme! Xhaçka: Të përkushtuar për stabilitetin e rajonit

Gjirokastra 24 Mars 2023

Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Maria Schmid vlerësoi arritjet që Shqipëria ka bërë në politikën e saj të jashtme, ndërsa shton se vendi luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.  

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, ku dhe zhvilloi një takim me ministren Xhaçka, Schmid vlerësoi edhe përparimin e madh që është bërë me reformën në drejtësi por edhe në avancimin e barazisë gjinore.

Schmid përshëndeti edhe kontributin që Shqipëria dha në kryesimin e OSBE-së si dhe rolin e saj si anëtare jo e përhershme në OKB.

“Ne jetojmë në kohë të vështira ku agresioni rus ka pasur një impakt edhe përtej Ukrainës. OSBE është shtyllë kryesore në arkitekturën e sigurisë në Europën. Më ka bërë përshtypje roli i Shqipërisë në arritjet në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin rajonal. Është jetësore të sjellim së bashku gratë dhe të rininë si aktore të së ardhmes në arenën e sigurisë. Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE.

Vizita jonë përkon me një rast shumë special, më 27 mars 1997 erdhi në Shqipëri prezenca e OSBE dhe këtë të hënë festojmë 26 vjetorin e marrëdhënieve mes nesh. Që nga qershori 2016 ku ishte dhe vizita ime e fundit në Shqipëri vendi ka përparuar me reformën gjyqësore”, tha Schmid gjatë një deklaratë për shtyp me ministren e jashtme Olta Xhaçka.

Ministrja Xhaçka e cilësoi OSBE si një partnere të rëndësishme dhe se Shqipëria mbetet e përkushtuar në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“OSBE vijon të jetë një partner i besuar dhe rëndësishëm për Shqipërinë që jep një kontribut të jashtëzakonshëm në një sërë kauzash dhe reformash në vendin tonë. Dënimi i agresionit rus ishte një nga temat kryesore të diskutimit ku Shqipëria dënon sulmin rus. Një nga drejtimet ku jemi investuar më shumë është ai i drejtësisë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë në të ardhmen.

Do jemi të përkushtuar ndaj kësaj kauza dhe siç mbetemi të përkushtuar në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Shpreh vlerësimin tim për kontributin që OSBE ka dhënë në avancimin e barazie gjinore”, tha Xhaçka.