Në Bruksel po mbahet këtë të enjte, samiti i BE-së. Presidenti Zelensky e ka nisur fjalimin e tij në PE me thirrjen Lavdi Ukrainës!”, ndërsa më tej ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen ndaj popullit ukrainas dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Po ashtu, Zelensky e ka falënderuar BE-në edhe për furnizimet jetike ndaj Ukrainës, ndërsa i kërkon të ruajë të njëjtin “kurs”.
“Është e rëndësishme jo vetëm për shtetet e Evropës, jo vetëm për komunitetet dhe shoqëritë e Evropës. Pavarësisht se kush jemi… ne gjithmonë luftojmë kundër mosrespektimit. Parakushti i ëndrrave tona për fëmijët dhe nipërit tanë, është paqja dhe siguria. Asnjëra nuk do të jetë e garantuar nëse “ne nuk e kapërcejmë forcën anti-evropiane që po përpiqet të na vjedhë të gjithëve Evropën tonë“, tha ai.
Presidenti deklaroi se Rusia nuk po sulmon vetëm ukrainasit, por mënyrën europiane të jetesës. Sipas tij, Presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të asgjësojë vlerat evropiane përmes luftës totale.
“Të gjithë ne e shijojmë këtë histori të përbashkët evropiane, Putini po përpiqet të “asgjësojë” vlerat evropiane përmes “luftës totale”. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Putin është “një diktator” që përdor armët sovjetike dhe nga “regjimet diktatoriale” për të arritur qëllimin e tij”, shtoi Zelensky.
Ai falënderon liderët e mbledhur për mbështetjen e tyre “parimore dhe energjike” që nga fillimi i luftës dhe vlerëson atë që “Evropa moderne, një Evropë paqësore, i jep botës”. “Mënyra evropiane e jetesës, standardi evropian i jetës, rregullat evropiane të jetës…, sundimi i ligjit,” tha ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pasi mbërriti në Bruksel, është takuar me kryetaren e Parlamentit Evropian Roberta Metsola. Zelensky mbërriti nga Parisi së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron si pjesë e një turneu diplomatik të paparalajmëruar nëpër kryeqytetet evropiane që synon të bindë Perëndimin të dërgojë më shumë armë dhe mbështetje ushtarake për të kundërshtuar një ofensivë të pritshme pranverore ruse.
Zelensky bëri një vizitë të papritur në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus i Ukrainës gati një vit më parë.
Në një fjalim para ligjvënësve britanikë, Zelensky përsëriti thirrjen e tij të vazhdueshme për më shumë armatime të rënda, duke përfshirë avionë luftarakë. Zelensky i dorëzoi Kryetares së Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, helmetën e një piloti luftarak ukrainas, të nënshkruar me mesazhin: “Ne kemi liri. Na jep krahë për ta mbrojtur atë.”
