• Lajme nga bota

Rusia heq gjendjen e jashtëzakonshme, hetimi penal ndaj Prigozhin besohet se nuk është mbyllur

Gjirokastra 26 Qershor 2023

Rusia hoqi gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas rebelimit të grupit “Wagner” kundër qeverisë ruse. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin në një deklaratë në Telegram njoftoi heqjen e masave të vendosura. Pas rebelim të armatosur nga Wagner, ende është mister se ku ndodhet udhëheqësi i tyre, Prigozhin.

Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti njoftoi se sipas një burimi nga zyra e prokurorit të përgjithshëm hetimi penal kundër Prigozhin nuk është mbyllur, pavarësisht lajmërimit në fundjavë. Ish-drejtori i përgjithshëm i CIA-s, David Petraeus, paralajmëroi Prigozhin që “të jetë shumë i kujdesshëm me dritaret e hapura”. “Prigozhin shpëtoi jetën, por ai humbi grupin e tij Wagner.

Ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm për dritaret e hapura në Bjellorusi, ku po shkon”, tha Petraeus. Kryeministri rus Mikhail Mishustin tha se Rusia u përball me “një sfidë ndaj stabilitetit të saj”. “Gjëja kryesore në këto kushte është të sigurohet sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve”-, tha ai, duke i bërë thirrje popullit që të mbështesë presidentin Vladimir Putin.

Ndërkohë ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoigu inspektoi trupat ruse të cilët po luftojnë në Ukrainë.  Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Shoigu vizitoi selinë e Grupit të Unitetit Perëndimor të Rusisë, në zonën e “operacioneve speciale ushtarake” dhe u informua për situatën në terren.

Shoigu udhëzoi se duhet të përdoret në mënyrë aktive inteligjenca për të zbuluar planet e ushtrisë ukrainase në zonën e konfliktit- thuhet në njoftim. 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se rebelimi i grupit Wagner kundër administratës ruse tregoi se lufta në Ukrainë ka thyer fuqinë e Kremlinit dhe ka ndikuar në sistemin e tij politik.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti krizën e Wagner-it “një çështje e brendshme e Rusisë”.