• Lajme nga bota

Rusia akuzon Ukrainën për sulm me dron në Moskë

Gjirokastra 24 Korrik 2023

Rusia ka akuzuar Ukrainën se qëndron pas një sulmi me dron që dëmtoi të paktën dy ndërtesa në Moskë herët në mëngjesin e të hënës.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se dy drone u “shtypën dhe u rrëzuan”, duke shtuar se nuk kishte viktima.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi se një dron ra pranë ministrisë së mbrojtjes ndërsa zyrtarët ukrainas ende nuk kanë komentuar.

Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se sulmet me dron goditën ndërtesa “jo-rezidenciale” rreth orës 04:00 me orën lokale. Ai shtoi se ndërtesat nuk kanë pësuar ndonjë dëmtim të madh.

Moska e ka akuzuar Ukrainën për një mori sulmesh me dronë në territorin e saj në muajt e fundit.

Incidenti i së hënës vjen vetëm një ditë pasi Rusia shënjestroi qytetin ukrainas të Odesës me sulme të reja raketore, duke shkatërruar Katedralen historike.

Unesco, agjencia kulturore e OKB-së, tha se ishte “thellësisht e tronditur dhe dënon me termat më të ashpër” sulmin në qendrën historike të Odesa.