Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë me dije disa nga vendimet e marra këtë të enjte (20 prill) nga qeveria.
Në kuadër të pr.ligji për kompetencat për caktimin e pagave, përfitimeve të të punësuarve dhe pagës bazë minimale, Ibrahimaj bëri me dije se nga data 1 prill, do të rriten pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.
“Në kuadër të reformës së madhe të pagave, ,miratuam një pr.ligj dhe disa vendime. Pr.ligji u anoncua kohë më parë, pr.ligji për kompetencat për caktimin e pagave, përfitimeve të të punësuarve dhe pagës bazë minimale. Ky pr.ligj i hap rrugën disa kompetencave të qeverisë për të përcaktuar disa kategori pagash që janë diskutuar dhe më parë që do marrin disa bonuse speciale.
Në vijim të ligjeve për rritjen e pagave, sot kemi miratuar disa pr.vendime për rritjen e pagave dhe hapin e parë të rritjes për policinë e shtetit, gardën, zjarrfikësit.
Nga data 1 prill do rriten dhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike”, tha Ibrahimaj, ndërsa sqaroi se rritja e pagës do të jetë e ndarë në dy faza dhe kostoja vjetore e plotë do të jetë 38 miliardë lekë. Ibrahimaj sqaroi se “këto fonde do mblidhen qoftë nga rritja e të ardhurave, nga rialokimet e brendshme., janë kosto që përballohen brenda kuadrit makrofiskal”.