• Lajme kombëtare

Rrezikuan jetën e pushuesve, bllokohen 8 mjete lundruese në Durrës e Dhërmi, gjobiten pronarët

Gjirokastra 05 Qershor 2023

Tetë mjete lundruese u bllokuan nga Policia Kufitare gjatë aksionit të fundit për sigurinë e vijës bregdetare, i cili në dy raste ka evidentuar manovra të rrezikshme për jetën e pushuesve, të cilët kanë qenë duke u larë në det.

Siç raportojnë uniformat blu, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kavajës”, u bllokua një mjet argëtimi “Jet Ski”, që lundronte jashtë zonës së përcaktuar dhe ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve.

Në afërsi të portit të Durrësit, u bllokuan 2 mjete të tjera lundruese argëtimi “Jet Ski” që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord. Te “Currilat”, u bllokuan 2 mjete lundruese gomone që drejtoheshin pa dokumentacion e nevojshëm në bord.

Në Dhërmi u bllokua 1 mjet lundrues argëtimi “Jet ski”, drejtuesi i të cilit kreu manovra të rrezikshme në det dhe për pasojë ishte rrezik potencial për sigurinë e pushuesve; ndërsa një mjet lundrues Skaf u bllokua po ë Dhërmi, pasi drejtuesi i tij e ushtronte veprimtarinë e lundrimit, i palicencuar.

Në Sarandë u bllokua 1 tjetër mjet lundrues argëtimi “Jet Ski”, që drejtohej pa dokumentacionin e nevojshëm në bord.

Pronarët e këtyre mjeteve u ndëshkuan me masa administrative nga 10 mijë  dhe 100 mijë  lekë të rinj, drejtuesit e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur prej ditësh kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve dhe krimeve detare, si dhe për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit nga shtetasit që përdorin mjete lundruese.

Këto kontrolle kanë objektiv kryesor, garantimin e një sezoni turistik të sigurtë.

Policia Kufitare apelon për pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, për pajisjen me dokumentacionin përkatës, si dhe për të gjithë ata shtetas që përdorin mjete lundruese argëtimi, apelon që të tregojnë kujdes dhe të mos cënojnë zonat e sigurisë së pushuesve në plazhe.