Ka gjetur golin e parë në nivelin më të lartë të kampionatit spanjoll të futbollit, në Primera Division, duke i dhënë skuadrës së tij fitoren e parë këtë sezon. Granada ka mundur Majorkën 3-2 në javën e 3-të, me golin e fitores së realizuar nga Myrto Uzuni, i cili ka rrëfyer edhe jetën e tij në Spanjë në një intervistë interesante.
“Kur vjen nga një vend si Shqipëria, nuk është e lehtë të arrish në La Liga. Më është dashur që të punoj shumë për realizuar ëndrrat e mia. Por, për këtë luhet futbolli, për ty dhe ëndrrat e tua, sepse në shtëpinë time ka pasur vetëm një opsion që të fitonim para, vetëm nga këmbët e mia. Në këtë jetë dua vetëm t’i falënderoj prindërit e mi që besuan tek unë dhe për njeriun që unë jam sot”, tha Uzuni.
“Kam një vit e gjysmë këtu te Granada dhe ndihem shkëlqyer. Jam si në shtëpinë time, pasi njerëzit më duan shumë. Ndeshja e parë debutuese ishte në ‘Bernabeu’ dhe kur shikoja lojtarë si Toni Kros dhe Modriç, po mendoja dhe i thosha vetes: “Mos po luaj në FIFA në ato momente?!””, tregon sulmuesi shqiptar.
“Çdo gol është special kur shënon. 23 gola në Kategorinë e Dytë spanjolle patjetër që janë shumë. Të gjithë e dinë se si është ajo kategori dhe sa e vështirë është. Në këto momente po stërvitemi shumë mirë, çdo gjë është gati dhe të gjithë duhet të bëjmë akoma edhe më shumë. Ëndrra ime është që të vazhdoj të luaj në La Liga, eksperiencë e madhe padyshim, dhe dua të luaj për shumë ndeshje”, përfundon Uzuni.