Ligji i ri i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes , pritet të kthejë në radhët e ushtrisë shqiptare rezervistët, pas disa vitesh mungesë. Projektligji i titulluar “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”, është në fazën e konsultimit publik. Ndërkohë për ata persona që karrierën e tyre e kanë të lidhur me ushtrinë, ky ligj ka një rëndësi të vecantë. Qemal Nisllaj, Shef i Seksionit të Rekrutimit për Qarkun e Gjirokastrës e sheh si të domosdoshëm miratimin e një ligji të tillë për Forcat e Armatosura.
Sipas z. Nisllaj duke parë dhe vet misionin që realisht kanë Forcat e Armatosura ky ligj merr një një tjetër rëndësi.
Shërbimi ushtarak rezervist, sipas projektligjit, do të kryhet nga shtetasit shqiptarë të moshës deri 50 vjeç për ushtarë, deri 55 vjeç për nënoficerë dhe deri 60 vjeç për oficerë. Ndërkohë që kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist do të jetë nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.