Me rihapjen e degës së “TIK” në shkollën profesionale “Thoma Papapano” janë rikthyer edhe vajzat këtë vit shkollor. Brisilda është një prej tyre e cila dëshiron që edhe studimet e larta ti vijojë në këtë fushë.
“Më pëlqen që edhe studimet e larta ti vazhdoj për “TIK” ndaj preferova që njohuritë ti marr që në shkollë të mesme. Jemi me fat që e kemi një shkollë profesionale në qytetin tonë”, thotë Brisilda Zhupa.
Pranë kësaj shkollë sivjet janë regjistruar mbi 50 të rinj në tre degë, “Shërbime mjete transporti”, “Tik” dhe “Termohidraulikë”, ndërsa shënohet i treti vit, që nuk mund të funksionojë një drejtim tjetër i rëndësishëm siç është ai “Elektroteknikë”, për të cilin tregu ka nevojë për profesionistë.
“Është i treti vit radhazi që nuk mund të arrijmë numrin e domosdoshëm të nxënësve për të hapur drejtimin mësimor “Elektroteknikë”, kjo si rjedhojë e mungesës së kërkesave nga të rinjtë. Kemi një mospërputhje me kërkesat që tregu ka dhe kërkesave të nxënësve. Tregu ka nevojë për profesionistë edhe në këtë drejtim, mirëpo kërkesat për tu regjistruar kanë qënë të ulëta në këto tre vite, cka ka bërë që në mos hapim dot këtë degë”, -thotë drejtoresha Renata Puleri
Në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” prurjet për vitin shkollor 2023 – 2024 janë në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. 130 është numri i të rinjve që edhe sivjet do të vijojnë studimet në tri drejtimet e saj, ndërkohë që regjistrimet në klasat e 10 vijojnë deri në fund të muajit shtator.
Është i njëjtë si vitin e kaluar. Kjo ka bërë që pranë kësaj shkolle për këtë vit shkollor të hapen tre drejtime kryesore “Shërbime mjete transporti”, “Tik” dhe “Termohidraulikë”. Është për tu theksuar që ky vit shkollor e gjen shkollën me infrastrukturë të përgatitur, qoftë për laboratorët, qoftë për ambientet mësimore. Në bashkëpunim me biznesin kemi siguruar dhe një set prej 15 laptop të cilët do të jenë në shërbim të drejtimit mësimor “Tik”.