• Lajme nga bota

Raporti i OKB-së/ Deportimi i fëmijëve ukrainas në Rusi përbën krim lufte

Ledja Fili 17 Mars 2023

Deportimi i detyruar nga Rusia i fëmijëve ukrainas për në zonat e kontrolluara nga Moska ka përmasat e një krimi lufte.

Komisioni i hetuesve të OKB-së për Ukrainën, në një raport të publikuar së fundmi, ka bërë të ditur se ekzistojnë prova që vërtetojnë transferimin e jashtëligjshëm të qindra fëmijëve ukrainas në Rusi. 

Raporti i komisionit del në përfundimin se Rusia ka kryer edhe krime të tjera lufte në Ukrainë, si sulme ndaj spitaleve, tortura, përdhunime dhe vrasje me paramendim. Sipas shifrave të qeverisë ukrainase, 16 221 fëmijë janë dërguar me forcë në Rusi.

Rusia ka prezantuar politika si dhënia e nënshtetësisë ruse dhe vendosja e atyre fëmijëve nën kujdesin e familjeve ruse për të krijuar një kuadër në të cilin fëmijët mund të qëndrojnë përgjithmonë në Rusi, vë në dukje raporti.

Ndërsa transferimet e fëmijëve që supozohej të ishin të përkohshme, shumë prej tyre janë zgjatur në kohë, dhe prindërit e tyre po përballen me pengesa për të kontaktuar me ta. 

Në disa raste, prindërit ose fëmijët u shprehën për hetuesit e komisionit të OKB-së se sapo mbërrinin në territore të kontrolluara nga Rusia, fëmijët e transferuar detyroheshin të vishnin rroba të pista, fyheshin dhe përballeshin me akte agresioni. Disa fëmijë me aftësi të kufizuara nuk merrnin kujdesin e nevojshëm dhe as mjekime. 

Deportimet e fëmijëve ukrainas shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe marrin përmasat e një krimi lufte, shkruhet në raport.

OKB bën të ditur se përveç përdhunimeve, vrasjeve dhe tortrave, Moksa mund të jetë përgjegjesë për krime akoma më të rënda ndaj njerëzimit, siç janë edhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që filluan tetorin e shkuar. 

Komisioni gjithashtu ka bërë të ditur se po përpiqet të përcaktojnë nëse bombardimi dhe rrethimi i qytetit ukrainas të Mariupolit majin e shkuar mund të përbëjë krim kundër njerëzimit.  Hetuesit gjithashtu u shprehën se kanë dokumentuar një numër të vogël shkeljesh të kryera nga forcat e armatosura të Ukrainës.