• Sport

Ramadani “hero” në Salento: Me Leçen shkojmë larg!

Gjirokastra 28 Gusht 2023

Aventura italiane e Ylber Ramadanit nuk mund të niste më mirë. Edhe pse në dy javët e para ekipit salentin i është dashur të ndeshet me formacione si ai i Lacios dhe ai i Fiorentinës, pikët në klasifikim janë katër dhe shifra 0 në kolonën e humbjeve do të thotë shumë për një realitet siç është ai i Leçes.

Një meritë për këtë ecuri të skuadrës verdhekuqe e ka padyshim edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, i cili fitoi menjëherë vendin e titullarit te skuadra e Serisë A, duke u shndërruar në një lojtar të rëndësishëm.   

Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, foli për mediat italiane pas barazimit 2-2 të ekipit të tij siguroi në transfertë ndaj Fiorentinës.  “Nuk e nisëm mirë pjesën e parë, duke pësuar një gol, por më pas reflektuam për gabimet tona dhe u përmirësuam. Më duhej të markoja Arturin dhe u mundova pak, por më pas dola kundër Bonaventurës dhe ishte më mirë. Në futboll duhet të marrësh përgjegjësi çdo ditë, por unë erdha këtu për të lënë gjurmën time. Hjulmand ishte i rëndësishëm vitin e kaluar, por kjo është e kaluara, unë duhet të bëj më mirë që Leçe të qëndrojë në Serinë A.  Në Serie A ka një nivel tjetër në krahasim me Skocinë, por më ka trajnuar një italian dhe tashmë e di se çfarë mentaliteti ka këtu”, deklaroi Ramadani.