“Ushtarakët do paguhen me mesataren e lartë të NATO-s” ishte premtimi që kryeministri Edi Rama u dha Forcave të Armatosura, ndërsa tha se kjo nuk do të ndodh “pas 10 vitesh po brenda pak viteve që vijnë”.
Duke folur për rritjen e pagave, Rama tha se kjo rritje po bëhet çdo vit edhe për ushtarakët dhe se shpërblimet që merr ushtari më i thjeshtë është shumë më e lartë se paga minimale.
“Sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë me arsimin më të ulët është një shpërblim I cili jo vetëm mbi pagën minimale por do të shkojë në rritje çdo vit. Ushtarakët tanë do të paguhen me mesataret e lartë të NATO dhe jo pas 10 vitesh po brenda pak viteve që vijnë”, tha Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e gradimit me titull “colonel” të 7 sportistëve elitarë nga Shqipëria dhe Kosova mbajtur sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ceremonia e dekorimit të 7 sportistëve elitarë
Duke marrë shembullin e sportistëve elitarë që nga sot janë pjesë e Forcave të Armatosura, Rama tha se kjo duhet të shërbejë edhe si motivim për të rinjtë që t’i bashkohet FA-së.
“Vijmë sot këtu për të kurorëzuar një përpjekje që ka filluar prej kohës duke u dhënë dorën sportistëve tanë më të mirë dhe duke u bërë të mundur që të stërviten dhe të ndihen ngrohtë në vendin e tyre dhe ta përfaqësojnë me dinjitet Shqipërisë. Kjo është e rëndësishëm për këta fëmijë që janë këtu dhe për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë që dëshirën për tu marrë me sport dhe për t’i ngjarë kampionëve tanë do ta kenë edhe më të motivuar nga bindja se do të ngjiten një ditë në këtë podium pasi të jenë ngjitur në podiumet në arenat ndërkombëtare të sportit.
Nuk do jenë më një kampion i harruar apo braktisur, të një pagë dhe një pension përkundër gradës dhe do të kenë mundësinë të garantojnë kontributin e merituar për familjet e tyre. Kjo në kurorëzojmë sot është edhe një arsye e fortë për të rinjtë t’i bashkohen forcave të armatosura”, tha Rama.
Shtatë sportistët elitarë që morën gradën e Kolonel të Forcave të Armatosura dhe do të përfitojnë pagën e kolonelit deri në daljen në pension janë Luiza Gega – Kampione Europe në atletikë; Briken Calja – Kampion në peshëngritje; Majlinda Kelmendi – Kampione Olimpike xhudo; Erkand Qerimaj – Kampion Europe në peshëngritje; Alban Beqiri – Kampion Ballkani në boks; Distria Krasniqi – Kampione xhudo; Nora Gjakova – Kampione xhudo.