Mësuesve që janë pjesë e arsimit por nuk kanë të drejtën për t’u licensuar , universiteti i Gjirokastrës u jep mundësinë të ndjekin një program të ri studimi. Me kohëzgjatje 6 muaj, Programi i Formimit të Vazhduar në Fushën Psiko – Pedagogjike do t’i pajisë këta mësues me kreditet e duhura që do t’u hapin udhën drejt marrjes se licensës se profesionit të tyre. Zëvëndësrektori Jaho Cana shpjegon se ky program është i barasvlefshëm me një master profesional.
“Është një program gjithëpërfshirës 6 mujor i cili përfshin studime suplementare për të gjithë atë kontigjent mësuesish të cilët janë të punësuar pranë shkollave ,por nuk kanë të drejtën e licensës. Në këtë program do të jipen lëndët e psiko-pedagogjisë. Përfshihen disa fusha studimi siç janë: histori-gjeografi, matematikë- fizikë, gjuhë-letërsi etj. Pra m und të regjitrohen të gjithë ata që kanë studiuar në bachelor, por nuk kanë pasur të drejtën për të dhënë provimin e licensës. Për të ardhur në ndihmë ka dalë një urdhër i MA i cili u jep të drejtën të plotësojnë kreditet, duke iu njohur si master profesional. Përfshihen edhe ata individë që kanë përfunduar në fusha të tjera jashtë atyre të arsimit siç janë: ekonomik, IT, etj, të cilët janë në marrëdhënie pune, por të pa pajisur me licensë. Sivjet hapet për herë të parë ky kurs 6- mujor, i barasvlefshem me master profesional”-sqaron zëvendësrektori Jaho Cana.
Në universitetin e Gjirokastrës për vitin e ri akademik 2023-2024 do të funksionojnë disa degë të reja në të dy ciklet e studimit. Menaxhimi Dixhital dhe Menaxhimi i Turizmit të Qëndrueshëm, janë dy programe bachelor të hapura me universitetin e Molises dhe atë të Salentos që ofrojnë diploma të përbashkëta. Risi është edhe programi Masteri i Shkencave në “Arkeologji, Histori dhe Administrim i Aseteve Kulturore”, që vjen si bashkëpunim me universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe atë të Maçeratës në Itali.