• Lajme kombëtare

Programet e punësimit/ Ibrahimaj: Do të zgjasë 6 muaj, përfitojnë të rinjtë 15-29 vjeç

Gjirokastra 27 Prill 2023

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se është miratuar projekt vendimi për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore.

Duke folur para gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj u shpreh se ky program do t’u drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.

Sipas Ibrahimajt, i gjithë ky proces mbështetet nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e Bashkimit Evropian.

Miratimi i projekt vendimit për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore. Ne kemi folur gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të kaluar për programin e garancisë rinore, i cili do t’i drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.

Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj vuri në dukje se do të ketë lehtësi për bizneset që do të punësojnë një të ri të moshë 15-29 vjeç.

Të gjitha bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës e personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 km larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional”, shpjegoi ajo.