Udhëheqësi kinez Xi Jinping ka mbërritur pak më parë në Moskë për vizitën shtetërore. Jinping ka përsëritur gatishmërinë e tij për të punuar së bashku me Presidentin rus, Vladimir Putin, për të mbrojtur rendin ndërkombëtar.
“Kina dhe Rusia janë të dyja fuqitë e mëdha në botë dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke luajtur një rol të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare. Përballë një bote të trazuar dhe në ndryshim, Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Rusinë për të mbrojtur me vendosmëri rendin ndërkombëtar. Pres me padurim shkëmbimin e pikëpamjeve të thella me Presidentin Putin mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët gjatë vizitës, në mënyrë që të hartohet një plan për koordinimin strategjik Kinë-Rusi”, thuhet në deklaratë, citon CNN.
Jinping do të takohet me Vladimir Putin pas orës 16:30 me orën lokale.
Sakaq, Kremlini ka publikuar një listë të pjesëmarrësve që do t’i bashkohen takimeve mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez Xi Jinping.
Sipas raportit, anëtarët do të përfshijnë: Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse Dmitry Medvedev; Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov; Zëvendëskryeministri Dmitry Chernyshenko; kreu i Bankës Qendrore të Rusisë Elvira Nabiullina; Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu; kreu i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos, Yuri Borisov; drejtori i Shërbimit Federal për Bashkëpunimin Ushtarak-Teknik, Dmitry Shugaev; ndihmësi presidencial Maxim Oreshkin; Ministri i Zhvillimit Ekonomik Maxim Reshetnikov; Ministri i Transportit Vitaly Savelyev; Ministri i Financave Anton Siluanov; dhe kreu i Rosatom Alexey Likhachev.