• Lajme kombëtare

Presidenti austriak: Mbështesim integrimin, bëtë mirë që hoqët dorë nga Pasaportat e Arta

Ledja Fili 27 Mars 2023

Austria dhe Shqipëria kanë marrëdhënie dhe një partnerit të një rëndësie të veçantë. Kështu ka deklaruar Presidenti Bajram Begaj në konferencën e përbashkët që mbajti me homologun austriak Alexander Van der Bellen. Teksa ka rikonfirmuar vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta për përmbushjen e detyrave të shtëpisë lidhur me integrimin në BE, Begaj deklaroi se Austria ka qenë mbështetëse për rrugëtimin europian të vendit tonë .

“Kjo vizitë është dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në proceset integruese te Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Si një vend me lidhej të shumta me këtë rajon, me vëmendje dhe angazhim që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane. I konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta për angazhimin e detyrimeve. I shpreha mirënjohje për mbështetjen e Austrisë në reformën në drejtësi. Austria do vijojë mbështetjen e këtij aktiviteti”, the Begaj teksa u ndal dhe te dialogu mes Serbisë dhe Kosovës dhe agresioni rus në Ukrainë.

Teksa ka shprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj u shpreh se është kundër një republike serbe në Kosovë. Begaj theksoi se është shumë e rëndësishme që të vendoset paqe mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të punuar që rajoni të integrohet në Bashkimin Europian.

 “Normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë është esenciale. Ju urojmë palëve negociuese një përfundim sa më të shpejtë për këtë proces që s’është aspak i lehtë. Për ne Kosova është e një rëndësie prioritare. Dialogu është e vetmja rrugë. Në asnjë rast nuk do të pranoja që të kishte Republikë Srpska në Kosovë dhe mesa di nuk është mbështetur as nga SHBA”, tha Begaj.

Begaj ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen që Austria ka dhënë në mbështetje të dialogut Prishtinë-Beograd, ndërsa rikonfirmoi qëndrimin e vendit tonë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti austriak ka vënë theksin te shteti i së drejtës dhe e drejta themelore. Alexander Va nder Bellen ka inkurajuar Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura në këtë sektorë, për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për presidentin austriak “Kjo mund të thotë dhe të hiqet dorë nga ndonjë ide në diskutim. Nëse kjo ide do çonte në cenim e besueshmërisë së procesit të reformave siç është deklaruar nga qeveria për pasaportat e arta, Austria do jetë mbështetës i madh i Shqipërisë për anëtarësimin dhe kjo do mbetet kështu”.

Sa i përket bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë, Presidenti bëri me dije se ministrat e drejtësisë së dy vendeve janë nënshkruar një deklaratë për bashkëpunim të mëtejshëm.

“Miqësi kaq e madhe shqiptare. Vizita ime është në kuadër të marrëdhënieve të mira dhe të ngushta mes dy vendeve që bazohen nga shpallja e pavarësisë. Diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin mes dy vendeve. Agjencia austriake për zhvillim është aktive prej 30 vitesh në Shqipëri dhe mbështetës kryesor në reformën në drejtësi”, tha ai.