Pasojat dimrit ndihen në pranverë. Bëhet fjalë për të sëmurët kronikë me disa problematika shëndetësore, të cilët kanë kaluar momente të vështira gjatë stinës së ftohtë dhe që sipas shefit të urgjencës së spitalit rajonal “Omer Nishani”, Bledar Çela, i reflektojnë pikërisht me ngrohjen e motit. Kujdes më të shtuar dhe rikontrolle këshillohet për ta gjatë kësaj përiudhe.
“Në këtë periudhë te një pjesë e të sëmurëve kronikë fillojnë të ndihen ato pasojat e dimrit. Kemi pasur dhe raste goxha të rënda, pra bëhet fjalë për të sëmurë kronikë me disa probleme. Rëndimi i gjendjes gjatë dimrit i ka dhënë pasoja tani në fund të sezonit. I kemi bërë të gjitha trajtimet dhe një pjesë e kemi çuar në Tiranë, për trajtim të mëtejshëm. Është për të thënë që këta të sëmurë me disa patologji kanë nevojë për rikontroll në këtë periudhë ose kujdes më të shtuar. Bëhet fjalë më tepër për pacientët që kanë probleme kardiake, ata që janë me diabet, por edhe ata që kanë probleme pulmonare të cilat rëndojnë edhe gjendjen e zemrës. “, thotë Çela
Me ardhjen e pranveres një kategori tjetër që i është drejtuar urgjencës është edhe grupmosha 45 – 55 vjeç, kryesisht meshkuj, të cilët paraqiten me probleme kardiake.