• Lajme kombëtare

Postonte në facebook thirrje për sulme terroriste, SPAK çon për gjykim Bledar Zenelin

Gjirokastra 02 Maj 2023

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Antiterrorit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim Bledar Zenelin.

31 vjeçari akuzohet për “Nxitjes, thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 232/a dhe 25 të Kodit Penal, “Falsifikimi i letërnjoftimit, pasaportave ose i vizave”, e parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal, “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes se armëve të ftohta”, e parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal.

Ky i pandehur, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për momentin, bënte postime  publike nëpërmjet rrjeteve sociale duke shprehur simpati të hapur për sulmet  terroriste siç ishin ai i ndodhur në datën 29 Tetor  2020 në Nicë të Francës,  sulmi terrorist i ndodhur në Vjenë Austri, në datën 02.11.2020, dhe për të tjera akte terroriste apo veprimeve radikale e ekstremiste. Këto postime i bënte në profilin Elezi Ibrahimi, në Facebook” informoi sot SPAK.

Vetë Zeneli e ka pranuar që ka publikuar statuse të tilla në rrjetet e tij sociale, por ka theksuar se ato nuk janë për qëllime ekstremiste dhe as terroriste.

30 vjeçari u arrestua më 2 gusht 2022. Ai u mbajt nën vëzhgimin e antiterrorit për një periudhë dy vjeçare.