Policia ka shkuar sërish këtë të enjte (29 qershor) në Kampin e MEK në Manzë. Gazetarja Flutura Tota bëri me dije për RTSH 24 se Policia e Shtetit e pozicionuar jashtë ambienteve të Kampit, po kontrollon automjetet dhe banorët.
“Policia e Shtetit ka rritur praninë e saj përpara mjediseve të rezidencës së kampit MEK. Efektivë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë kontrollojnë automjetet që futen dhe dalin nga kampin, si dhe anëtarët e këtij komuniteti.
Ajo çfarë konstatojmë, nga kontrollet e policisë, efektivët kontrollojnë dhe dokumentacionet e personave që hyjë dhe dalin.
Nga burim që kemi marrë nga policia, vëzhgimi i tyre dhe jshtë kampit është synim i policisë se me kë takohen, në cilat institucione hyjnë.
Kjo tregon se policia ka shtuar vëmendjen ndaj veprimtarisë së banorëve të Ashrafit”, tha Gazetarja Tota.
Kujtojmë se më 20 qershor Policia e Shtetit me urdhër të SPAK dhe vendimit të GJKKO ushtroi kontrolle në kampin e MEK, ku u përball me protestat e banorëve të Ashrafit.
Këta të fundit pretenduan se një prej tyre humbi jetën si pasojë e kësaj përplasje, teksa u mohua nga Policia dhe Ministria e Brendshme, të cilat bën me dije se veprimet e grupimit të MEK ranë ndesh me marrëveshjen e 2014, sipas së cilës do vendoseshin në Shqipëri për qëllime humanitare.
15 efektivë dhe 21 banorë të kampit u lënduan si pasojë e reagimit të muxhahedinëve ndaj kontrollit të policisë.
Efektivët blu arritën që të sekuestronin në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karta memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilët tentuan ti asgjësonin me djegie, disa anëtarë të MEK.
Në total u kontrolluan 17 mjedise, por brenda kampit numërohen rreth 127 objekte, të ndërtuara në një territor prej 38-40 hektarë.