• Gjirokastër

“Polarizimi politik, një perspektivë akademike”, Merkel: Partitë politike në Shqipëri armike, jo kundërshtare.

Gjirokastra 23 Mars 2023

Partitë politike shqiptare e shohin njëra – tjetrën si armike e jo kundërshtare. Ky është problem më i madh i demokracisë në Shqipëri. Kështu u shpreh sot nga Gjirokastra Prof. Dr. Wolfgang Merkel, drejtor i Qendrës së Shkencave Sociale në Berlin dhe profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Humboldit.

“Duke e krahasuar me atë të vendeve të tjera mendoj se pavarësisht disa përmirësimeve që kemi pasur në këtë drejtim, ka akoma për t’u bërë, pasi nuk është ende në nivelin e Gjermanisë, Danimarkës, Italisë apo edhe vendeve të tjera. Dhe ajo që është interesante është nuk ka pasur progres gjatë 10 – 20 viteve të fundit. Duhet akoma punë në drejtim të përmirësimit të saj në Shqipëri.

Më e rëndësishmja dhe një nga problematikat e demokracisë në vendin tuaj është se partitë politike shqiptare nuk bashkëpunojnë,  nuk e trajtojnë njëra – tjetrën si kundërshtare, por si armike. Ky është problemi me demokracinë shqiptare. Pra, është gjë tjetër të jesh kundërshtar dhe gjë tjetër të jesh armik. Kjo duhet të zgjidhet në Shqipëri. Ju ju nevojitet një kulturë më bashkëpunuese mes partive politike.

Kjo do të ndihmonte që Shqipëria të bëhej anëtare e BE në të ardhmen e afërt. BE do ta mbështeste qeverinë dhe shoqërinë shqiptare të bëhej një anëtare me të drejta të plota. Nga perspektiva gjermane ne do ta vlerësonim zgjerimin e BE me vende te Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.” ,tha Prof. Dr. Wolfgang Merkel.

 Prof. Dr. Wolfgang Merkel ishte i ftuar sot nga Universiteti “Eqrem Çabej”, për të mbajtur një leksion mbi demokracinë të titulluar: “Polarizimi politik, një perspektivë akademike”. Përmes këtij leksioni ai prezantoi te pjesëmarrësit studentë e pedagogë disa rezultate të një kërkimi mbi demokracinë. Po ashtu Merkel kërkoi prej tyre mendimet e tyre mbi demokracinë, për t’i krahasuar ato me studentë të vendeve të tjera.