• Dropull

Pogon, fillon rikonstruksioni i qendrës shëndetësore Poliçan

Gjirokastra 05 Korrik 2023

Zona malore e Pogonit ka pasur spitalin e saj në qendrën e Poliçanit,që nga fillesat e viteve ’60, deri në fillim të viteve ’90, ku u shënuan edhe lëvizjet e para demografike.

Madje, Poliçani dispononte edhe spitalin e saj partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po si mund të përfitojne banorët e 7 fshatrave të Pogonit shërbimin shëndetësor , duke pasur parasysh problemet e theksuara me infrastrukturën rrugore, nevojën e shtimit të personelit të infermjerëve dhe amortizimin e tejskajshëm godinës së Qendrës Shëndetësore në Poliçan ?

Mjeku i zonës , zoti Shefqet Latifi, shprehet se Njësia Administrative Pogon, me 7 fshatra në juridiksionin e saj, ka nevojë për shtimin e numrit të infermjerëve, të cilët duhet të jenë prezent 24 orë pranë banorëve.

Gjithashtu, zoti Latifi, sjell edhe një lajm të mirë për banorët e Pogonit: ” Me fonde të Ministrisë së Shëndetësisë brenda muajit korrik fillon investimi për rikonstruksionin e plotë të Godinës së Qendrës Shëndetësore Poliçan.”

Megjithëse, Ambulanca e Spitalit ” Omer Nishani” të Gjirokastrës iu është përgjigjur banorëve të Pogonit në raste emergjencash, një ndihmë të veçantë për levizjet e personelit mjekësor dhe infermjeror jep edhe pushteti vendor.