“Auto Moto Parku” në Elbasan do të jetë gati jo më vonë se 2028-ta, duke shënuar një hap historik për automotorizmin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motosportit në Shqipëri.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, thekson se projekti është tashmë në tryezën e organizatorëve të garës së Formula 1.
“Presim një projekt të detajuar, i cili nga ana jonë është çuar edhe në tryezën e pronarëve të garës së Formula 1, të cilët janë duke krijuar një grup pune për të punuar me Shqipërinë dhe për të hapur shumë shpejt kanalin e bashkëpunimit për mundësimin që me të mbaruar Moto Parku të kemi një pistë të certifikuar për gradën A, për Formula 1,” shprehet z. Gonxhe.
Për Gonxhen, ky projekt do të sjellë për të gjithë adhuruesit e shpejtësisë një pistë të sigurt dhe për ekonominë shqiptare të ardhura të shtuara.
“Qindra milionë euro në vitet që do të kemi mundësinë për të bërë gara dhe aktivitete ndërkombëtare të niveleve më të larta. Do të ketë një impakt shumë të madh për futjen e Shqipërisë në një hartë tjetër të re,” shton z. Gonxhe.
Pista e cirkuitit të parë shqiptar do të jetë 5,3 km e gjatë me një sipërfaqe prej mbi 500 mijë m2 përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit, sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK.
Do të ketë gjithashtu edhe muzeun RETRO, akademi motosporti dhe akademi të edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë jashtë rruge dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra-të-lehta.
Gazetare: Amela Koçerri