• Gjirokastër

Përgatitjet për vitin e ri mësimor, ZVA Gjirokastër Libohovë mbledh drejtuesit e shkollave

Gjirokastra 29 Gusht 2023

Me rikthimin në punë të të gjitha stafeve pedagogjikë, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër Libohovë, Albana Hasanaj ka organizuar një takim me drejtuesit e gjithë institucioneve të arsimit nëntëvjeçar e të mesëm. Në fokus ishin masat që duhen marrë për një fillim të sukseshëm të vitit të ri mësimor duke nisur që nga vënia në gatishmëri e ambienteve të brendshme e të jashtme të godinave shkollore e deri te shpërndarja e teksteve.

“Konkretisht, infrastruktura është një element shumë i rëndësishëm. Këto ditë do të jenë me një punë intensive në përmbushje të standarteve për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Së bashku me drejtorinë e arsimit pranë bashkisë titullarët e institucioneve morën detyrat përkatëse për të filluar nga puna për përgatitjen e ambienteve si brenda institucioneve dhe jashtë tyre.

Në vëmendje të drejtuesve të shkollave ishte edhe regjistrimi i nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë, kjo duke respektuar edhe afatet e reja të vendosura nga Ministria e Arsimit, ku afati përfundimtar është 1 shtatori. Risi për këtë vit është regjistrimi i fëmijëve në klasat e para, për të gjithë ata fëmijë që mbushin gjashtë vjeç deri në dhjetor të 2023. Nuk është detyrim ligjor, por sipas dëshirës së prindërve.

Padyshim që një vit mësimor nuk mund të fillojë pa tekstet shkollore. Data 1 shtator do të jetë data e fillimit të shpërndarjes. Është kërkuar nga titullarët e institucioneve që të respektojnë bazën ligjore në fuqi, afishimin e listave me titujt e teksteve, shtëpitë botuese dhe listën e çmimeve përkatëse për të gjitha kategoritë e teksteve. Në të njëjtën kohë shpërndarja e teksteve për klasat e para, të dyta dhe të treta është konceptuar si një minifest nga titullarët. Vjet përfitues të teksteve falas ishin vetëm nxënësit e klasave të para ndërsa sivjet u shtuan edhe ata të klasave të dyta e të treta. Nxënësit nga klasa e katërt deri në të nëntën janë përfitues të teksteve në përdorim. Ne jemi duke hartuar edhe listat me kategoritë e nxënësve të shkollave të mesme që i përfitojnë ato falas”, – shprehet drejtoresha e arsimit Albana Hasanaj.

Në 11 shtator pritet të hapin dyert për vitin e ri arsimor 2023-2024 14 shkolla në Gjirokastër e Libohovë.