Një 22-vjeçar në Shkodër ka rënë në pranga e policisë, pasi në bashkëpunim me një tjetër, përfitonin automjete luksoze përmes mashtrimit, duke mos u dhënë pronarëve të mjeteve paratë për to.
Policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e 22-vjeçarit, ndërsa ka vënë nën hetim edhe një person tjetër që dyshohet se ka patur dijeni mbi veprimtarinë e kundraligjshme. Policia ka sekuestruar 6 automjete luksoze të tipeve “Audi”, “Mercedes-Benz” dhe “Porsche”.
Blutë e Shkodrës sqarojnë se “Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se shtetasit E. Ç. dhe G. Ç., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve (kryesisht luksoze), do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit. Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare”.
Policia ka arrestuar 22-vjeçarin E.Ç, ka shpallur në kërkim 33-vjeçari G.Ç, të dy banues në Shkodër, dhe ka nisur procedim në gjendje të lirë për 44-vjeçarin B. H.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër apelojnë për qytetarët që kanë rënë pré e mashtrimit nga këta shtetas, që të paraqiten në ambientet e Policisë, për të denoncuar.