Me tjetër performancë dhe përmbajtje e gjen ky 100 vjetor muzeun e gjimnazit “Asim Zeneli”. Përvec materialeve ekzistuese ai është pasuruar me dokumenta e objekte të reja të cilat në shenjë mirënjohje i janë dhuruar nga ish nxënës e mësues në vite. Në të gjen tashmë deftesat e para të lëshuara nga kjo shkollë e cila e nisi funksionin si lice francez, libra të vjetër në gjuhën frënge, ditarë të mbajtur nga mësues, por edhe sende personale të tyre.
Nica Dhespo nuk ka qënë pjesë e gjimnazit “Asim Zeneli” por e ka sjellë këtu amaneti që i ka lënë i shoqi, Thanasi, i cili për shkak të politikës së kohës nuk arriti të përfundonte studimet. Ajo ka dhuruar sende dhe objekte personale të tij duke vënë në vend amanetin e lënë pak kohë para se të ndahej nga jeta. Sot ato gjenden në muzeun e kësaj shkolle ndaj të cilit ai ndihej mirënjohës.
Në këtë jubile është botuar edhe libri që përcjell historikun e këtij gjimnazi. Ai vjen nën titullin “100 vjet kështjellë e dijes”. Në të gjen pak historik mbi lindjen dhe zhvillimin e gjimnazit, stafin e parë pedagogjik, foto të vjetra dhe të gjithë mësuesit ndër vite dhe të gjithë maturantët që janë diplomuar dhe janë tek libri i indeksit të shkollës. Në muzeun e rikonceptuar e të pasuruar vend zë edhe libri i kujtimeve, ku vizitorët e shumtë të këtyre ditëve kanë lënë mbresat dhe urimet e tyre.