Është vetëm 26 vjeç dhe prej 7 vitesh ndjek ëndrrën e pasionin e tij për të qenë pjesë e forcave të policisë së shtetit.
Ali Shuti është i riu nga Gjirokastra, pjesë e forcave Shqiponja, që me krenari vesh çdo ditë uniformën e policisë dhe mban përgjegjësinë e saj.
Pavarësisht se studimet e larta i kreu për administrim publik, Ali Shuti vendosi të futet në radhët e policisë së shtetit.
I riu nga Nepravishta ka 7 vite në këtë profesion që për të ishte një dëshirë e hershme. Ai na tregon për fillesat e këtij rrugëtimi, të bukur dhe me plot sfida. Sot është punonjës i forcave “Shqiponja” pranë drejtorisë Vendore të Gjirokastrës.
“Kam rreth 7 vite tek policia e shtetit, 4 prej tyre në forcat “Shqiponja”, 3 në policinë rrugore dhe tani jam rikthyer sërish tek forcat “Shqiponja”, tha ai.
Tek Shuti qëndron e memorizuar hera e parë që veshi uniformën e policisë dhe ndërhyrja e parë që ka bërë.
“Uniforma e policisë të ngarkon më shumë përgjegjësi”, thotë i riu.
Sezoni turistik ka patur ngarkesat e veta dhe punonjësit e policisë së shtetit kanë qenë 24 orë në 24 për të siguruar rendin dhe qetësinë.
Si çdo i ri në këtë profesion dhe ai kishte nevojën e mbështetjes së kolegëve me eksperiencë më të gjatë në fushë, gjë të cilën e gjeti dhe tashmë edhe ai ndjek të njëjtën rrugë me kolegët e tij të rinj.
“E gjeta veten të mirëpritur në familjen e skuadrës “Shqiponja”, jam familjarizuar shpejt me ta dhe më kanë mbështetur në çdo vështirësi që kam pasur”, tha ai.
Vitet e fundit uniforma e policisë ka marrë një rëndësi më të madhe.
Si çdo i ri edhe Aliu ka menduar që të largohet nga vendi por pasioni për këtë profesion dhe dashuria për familjen ka bërë që të rri në Shqipëri.
Ai u bën thirrje të gjithë të rinjve që të japin kontributin e tyre në policinë e shtetit.