Kryeministri Edi Rama kërkon verifikim ligjor dhe fillimim e hetimeve për lidhjet ruse të Monika Kryemadhi.
“Po ç’paskeni qenë o rubla që na i morët me radhë me motra e me vëllezër opozitarë! Po ato konto bankare ofshor çfarë janë vallë se këtyre u mbinë në gojë ofshoret, po i paskan pasur të tyret shejtanët e shejtanet…” shkruan Rama në Twitter.
Verifikimin e quan domosdoshmëri dhe provë se drejtësia nuk funksionon me dy standarde.
Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare!”- vijon Rama në twitter.
Një reagim i cili erdhi pak orë pasi një kërkesë e tillë u theksua edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist në një prononcim për median në kryesinë e Kuvendit.
Zoti Taulant Balla, tha se prokuroria duhet të kishte nisur hetimet dhe se Kryemadhi vetë duhet të kishte dalë në deklaratë për mediat me një sqarim të detajuar pasi rezulton e lidhur me aksionerë që janë në listën e zezë të SHBA.
Kryemadhi duhet të kishte dalë e t’i sqaronte. Si ka mundësi që gjendesh në dokumente të tilla. Kanë dalë dhe aksionerët që janë në listat e zeza të SHBA për shkak edhe sanksioneve të vendosura pas agresionit rus dhe më e rëndësishme është subjekti i deklarimit.
Në cilin vend të Europës do të dilte një politikan i këtij niveli dhe si bashkëshortë e presidentit të Republikës kur ka një llogari në off-shore. E mbani mend çfarë tërmeti shkaktoi emri i një politikani në llogaritë bankare të off-shoreve në Panama, shumica e politikanëve dhanë dorëheqjen dhe organet ligjzbatuese nisën menjëherë hetimet, në rastin tonë Prokuroria. Unë mendoj që është prekur siguria kombëtare. Kur je në shoqëri tregtare ku marrin pjesë politikanë të lidhur me Putin, kjo është e rëndë”, tha sot Balla.