• Gjirokastër

“Pa telefona në shkollë”, Urdhëri i Ministrisë së Arsimit gjen zbatim në Gjirokastër

Gjirokastra 26 Shtator 2023

Në institucionet e arsimit parauniversitar është e ndaluar mbajtja e telefonave si nga nxënësit ashtu edhe nga mësuesit. Kështu  ka urdhëruar Ministria e Arsimit para fillimit të vitit të ri mësimor 2023-2024. Për të parë sa zbatohet në shkollat e Gjirokastrës bëmë një vëzhgim dhe kontaktuam me nxënës e drejtues të tyre, të cilët pohuan se gjatë orëve të mësimit celulari nuk përdoret. Vetë nxënësit janë shprehur se me ndalimin e telefonit vëmendja shkon vetëm tek procesi mësimor.

Erjon Kore drejtues i shkollës 9 vjecare “Urani Rumbo” thotë se në këtë shkollë 90 përqind e nxënësve nuk e marrin celularin me vete. Për pjesën tjetër, operohet me grumbullimin e telefonave kur hyjnë në klasë dhe shpërndarjen e tyre në përfundim të programit ditor.

“Në shkollën tonë ka gjetur zbatim në masën 100%. Shumica e prindërve kanë rënë dakort që fëmijët të mos kenë telefon në shkollë. Pjesa tjetër që është vetëm 10% i duan fëmijët të pajisur me ta, pasi janë të shqetësuar se çfarë ndodh me ta pas largimit nga shkolla. Këtyre nxënësve u mblidhen telefonat para se të nisë procesi mësimor dhe u dorëzohen në përfundim.Kjo është zgjidhja që kemi gjetur për të zbatuar urdhërin e Ministrisë së Arsimit.”

Sipas urdhërit të Ministrisë së Arsimit ,në rast konstatimi të përdorimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit do të sekuestrojë telefonin celular, si dhe do të zbatojë masa disiplinore.