India do të kalojë Kinën si kombi më i populluar në botë , me gati 3 milionë njerëz më shumë nga mesi i këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga Kombet e Bashkuara.
Bazuar në parashikimet, popullsia e Indisë deri në mesin e vitit do të arrijë në 1.4286 miliardë, krahasuar me 1.4257 miliardë të Kinës, 2.9 milionë më.
Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se nuk është e mundur të përcaktohet data e saktë për ndryshimin, për shkak të “pasigurisë” në lidhje me të dhënat që vijnë nga Kina dhe India. Regjistrimi i fundit i Indisë ishte në vitin 2011 dhe më i fundit, i planifikuar në 2021, u vonua gjatë pandemisë Covid-19.
Deri në vitin 2050, tetë vende do të përbëjnë gjysmën e rritjes së parashikuar të popullsisë globale: Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Tanzania.
Kina ka mbajtur “titullin” e vendit më të populluar të paktën që nga viti 1950, kur filluan të dhënat e OKB-së për popullsinë. Kina dhe India së bashku do të përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së vlerësuar globale, e cila pritet të arrijë në 8.045 miliardë deri në mes të vitit, thuhet në raportin e OKB-së. Por, në kundërshtim me perceptimin publik, rritja e popullsisë është ngadalësuar në të dy vendet, veçanërisht në Kinë, e cila regjistroi një rënie të popullsisë për herë të parë në gjashtë dekada vitin e kaluar.
Popullsia e Kinës ra në vitin 2022 në 1,411 miliardë, rreth 850,000 njerëz më pak nga një vit më parë, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës. Shkalla e lindjeve ra gjithashtu në një rekord të ulët prej 6.77 lindjesh për 1000 njerëz, nga 7.52 një vit më parë dhe niveli më i ulët që nga themelimi i Kinës komuniste në 1949./ CNN