• Gjirokastër

Nostalgji skenografie, aktorja Margarita Xhepa në Gjirokastër

Gjirokastra 16 Qershor 2023

Prej kohësh qyteti i Gjirokastres është kthyer në një nga destinacionet kryesore për turistët vendas e të huaj. Vizitorët janë të shumtë nga të gjitha anët e botës, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen edhe të vetë turistëve në Qafën e Pazarit ishte prania e aktores së madhe, Margarita Xhepa, “Artiste e Popullit”. E nisur nga Tirana për në Patra të Greqisë, ku do të marrë pjesë gjatë fundjavës në një aktivitet të organizuar nga emigrantët shqiptarë atje, nuk kishte se si të mos ndalonte në Gjirokastër , për të ndjerë edhe njëherë kënaqësinë që të jep ky qytet  me bukurinë e tij të rrallë, siç e përshkruan dhe vetë aktorja. Ftesën e organizatorëve të evenimentit në Greqi e prita me kënaqësi të madhe , na thotë, për vetë rëndësinë që ka ky aktivitet, ruajtja e gjuhës shqipe dhe trashëgimi i saj në brezat e rinjtë , edhe pse të lindur jashtë atdheut. Qytetin e Gjirokastrës e sheh si një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë  por edhe si vendlindjen e shkrimtarit të madhë Ismail Kadare, që siç thotë dhe vet aktorja e madhe, na ka bërë krenarë në të gjithë botën. Karriera e gjatë në kinematografi dhe teatër e kthen në kohë me kujtimet e saja,  që ka nga ky qytet i rrallë, kohë kur xhironte në Dervican filmin televiziv  “I treti” të regjisorit Albert Minga, apo filmin tjetër “Vitet e pritjes”.Por  veç kujtimeve të bukura me kolegët  e saj, mikpritja e qytetarëve gjirokastrit e bën atë të kthehet në këtë qytet të mrekullueshëm.